Edhe pse i butë dhe i paqtë në dukje, kryetari i ri Kuvendit Niko Peleshi nuk po arrin të gjejë konsesusin ndërpartiak në punimet e Kuvendit.
Nga njëra anë opozita po kërkon shkarkimin e tij për shkelje të Kushtetutës në seancën e programit qeverisës, ndërsa nga ana tjetër me kërkesë të PS, Peleshi do të mbledhë Parlamentin në seancë të mërkurën në orën 10:00 për miratimin e anëtarëve të komisioneve parlamentare.
Në mungesë të kryetarit të grupit te PD, Gazment Bardhi, për shkak te përjashtimit nga seancat, në Konferencën e Kryetarëve, nënkryetari i Kuvendit, demokrati Agron Gjekmarkaj e ka akuzuar Peleshin si “atentator” të asgjësimit të opozitës në Parlament.
Në mbrojtje të kryetari të Kuvendit i doli kreu i grupit socialist Taulant Balla. Ai u shpreh se Peleshi nuk merr urdhër nga Rama, por i referohet Rregullores.
Mazhoranca nuk e pranon që po tregohet arrogante për shkak të 83 deputetëve në Parlament, edhe pse veprimet në seancat e para lenë shumë hapësirë për interpretim.
Këtë e bëri të qartë Balla që edhe nëse demokratët nuk i sjellin emrat e anëtarëve të Komisioneve, miratimi i përbërjes do të bëhet edhe pa praninë e tyre.
Ndryshe nga demokratët, të cilët edhe pse si kanë caktuar emrat nuk kanë ende një vendim për t’i çuar për miratim, Tedi Blushi si kryetar i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, tha se PL nuk do të bojkotojë komisionet.
Teksa socialistët po vijojnë jetën parlamentare në normalitet, demokratët janë në pritje të vendimit që do të marrë Këshilli i Legjislacionit për mocionin e tyre për shkarkimin e Peleshit dhe përsëritjen e seancës për programin qeverisës. (A2 Televizion)