VIDEO| “PD vuri galloshët në listë të sigurt, PS hoqi gangsterët”, Dash Sula në "Off the Record"

Nga A2 CNN
29 Qershor 2025, 20:35 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka komentuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli, zgjedhjet e fundit dhe dështimin e PD-së.

Sula u shpreh se Partia Demokratike rrezikon të dështojë sërish nëse nuk reformohet dhe nuk reflekton mbi gabimet e veta. “Do të ishte çmenduri dhe tradhti ndaj demokratëve, një gabim i përsëritur disa herë. Nëse ndjek të njëjtën rrugë dhe ke të njëjtin përfundim, atëherë je budalla. Nëse vazhdojmë duke thënë na i vodhi, na i mori, na i bleu dhe nuk shikon veten tënde për t’u riformatuar, rezultati do të jetë po i njëjti në fund,” tha ai.

Ai kritikoi ashpër listat e kandidatëve të PD-së, duke bërë një krahasim me Partinë Socialiste: “Listat e PD-së në 2013, 2017 dhe 2021 kanë qenë më të mira se të PS-së. PS kishte të fortë, gangsterë, për të cilët u bë ligji i dekriminalizimit dhe disa janë sot në burgje. PS në 2025 i pastroi listat nga gangsterët, ndërsa PD-ja vuri galloshat në listë të sigurt, njerëz që nuk kanë vota dhe që u provuan në 2021, ndërsa ata që kishin vota u lanë në lista të hapura.”

Sipas tij, edhe ai vetë duhej të ishte pjesë e listave të hapura: “Edhe unë dhe të gjithë të tjerët duhet të ishim në lista të hapura,” tha deputeti demokrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos