LIVE/ “Shkolla pa nxënës e spitale pa ilaçe”, Alimehmeti: Shpopullimi, dështimi më i madh i Ramës

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2026, 18:14 | Politikë

Ilir Alimehmeti ka folur në protestën kombëtare të kësaj të marte të Partisë Demokratike, duke e cilësuar shpopullimin si dështimin më të madh të qeverisë Rama. Sipas tij, mbi 1.6 milionë shqiptarë ndodhen sot jashtë vendit, ndërsa 1 në 5 qytetarë mendon të largohet, një tregues i qartë i pasojave të politikave qeveritare.

“Nuk ka më justifikime. Kur ke gjithë pushtetin, ke edhe gjithë përgjegjësinë. Shkollat pa nxënës, spitalet pa ilaçe dhe pronarët pa prona janë rezultat i drejtpërdrejtë i abuzimeve dhe keqqeverisjes. Për të gjitha këto ka një emër: Edi Rama”, deklaroi Alimehmeti.

Ai theksoi se largimi masiv i qytetarëve përbën akuzën më të rëndë ndaj një qeverie, duke shtuar se “kur populli ikën, kjo është prova më e madhe e dështimit”.

Në fjalën e tij, Alimehmeti bëri thirrje për rikthimin e vlerave europiane dhe për një ndryshim të thellë politik, duke theksuar se Shqipëria ka njohur arritje të mëdha në të shkuarën, si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në NATO.

“Duhet të largohet Rilindja, duhet të largohet Edi Rama. Vetëm duke qëndruar së bashku, Shqipëria mund të fitojë”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos