Kryeministri Edi Rama priti Presidentin francez Emmanuel Macron në vizitën e dytë zyrtare që ai zhvillon brenda pak muajsh në Shqipëri, një shenjë, sipas shefit të Qeverisë shqiptare, që marrëdhëniet mes Tiranës dhe Parisit kanë hyrë në një fazë të re miqësie e bashkëpunimi, të paparë më herët.
“Shumë mirënjohje për këtë shtysë të fortë nga ana e Presidentit dhe Republikës së Francës në marrëdhëniet me Shqipërinë që kanë hyrë në një fazë të re dhe të panjohur më parë. Shqipëria ka ende shumë për të bërë, sidomos në fushën e menaxhimit të mbetjeve, ku jemi në proces për ndërtimin e një strategjie të qëndrueshme, të lidhur drejtpërdrejt me negociatat. Franca është kampione dhe nëse arrijmë të kemi bashkëpunimin me ekselencën franceze, do të jemi të fituar në çdo drejtim”, tha Rama, shkruan A2.
Pasi e uroi edhe njëherë për fitoren, Presidenti francez Macron nuk kurseu vlerësimet për Kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar bashkëpunimin me të si një fat për Shqipërinë dhe Evropën. Për Macron, synimi i Ramës për të mbyllur negociatat e anëtarësimit brenda 2027, është një realitet: “Ju falënderoj për besimin që morët në zgjedhje, rizgjedhja juaj është shumë e rëndësishme jo vetëm për ju, por për të gjithë ne. Është ky mandat që do të na lejojë të vazhdojmë këto agjenda kaq ambicioze, të dëshiruara kaq shumë nga vendi prej shumë vitesh. Udha e Shqipërisë është e qartë drejt BE-së. Franca do jetë krah jush për t’ju shoqëruar në këto reforma, në mënyrë që meritat tuaja të njihen nga të gjithë dhe që agjenda të mbahet. Ju do mbani agjendat tuaja dhe ne do të mbajmë tonën, 2027 nuk është një perspektivë, por një realitet”.
Presidenti Emanuel Macron i është përgjigjur nga Tirana edhe kritikave të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sipas së cilës BE po jep mesazhe të gabuara për rajonin tonë, duke i hapur derën atyre që shkojnë në Moskë te Putini, teksa Kosova bllokohet.
“Udhërrëfyesi është i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun mes Beogradit e Prishtinës. BE kërkon avancime konkrete mbi zgjedhjet e komunave që nuk kanë qenë të kënaqshme mbi çështjet e sigurisë. Duhet të dalë nga kjo përballje që bllokon situatën. Uroj që javën e ardhshme të fillojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, sepse secili vend është përballur me vështirësi politike e sociale. Është e rëndësishme për gjithë rajonin. Mendoj që kërkesat janë legjitime, nuk duhet të lëmë të vendoset një dialog i tërthortë”, tha Macron.
Një ditë më parë, Tirana priti 47 liderë europianë dhe 5 përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së në Samitin e Komunitetit Politik Europian. (A2 Televizion)