Mandati i Olta Xhaçkës, A2 CNN zbardh raportet e mazhorancës e opozitës drejtuar Këshillit të Legjislacionit. Çfarë pretendojnë palët

Nga A2 CNN
11 Shtator 2024, 10:45 | Politikë

Mandati i Olta Xhaçkës, A2 CNN zbardh raportet e mazhorancës e

A2 CNN ka zbardhur të dy raportet; të mazhorancës dhe opozitës drejtuar Këshillit të Legjislacionit në lidhje me mandati deputetes Olta Xhaçka. Të dy raportet do të shqyrtohen në seancën plenare të datës 12 shtator.

Maxhoranca në raportin e saj e lë në vullnetin e deputetëve nëse do të votojë pro dërgimit të kërkesës për shqyrtim të konfliktit të interesit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka në kushtetuese. Ndërsa opozita i kërkon Kuvendit të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Anëtarët e maxhorancës nënvizojnë në raport se: “Është seanca plenare si organi vendimmarrës i Kuvendit, që duhet të vendose dërgimin e çështjes se papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Giykatën Kushtetuese, referuar nenit 70, pika 4 të Kushtetutës dhe urdhërimeve të Gjykatës Kushtetuese në dispozitivin dhe arsyetimin e vendimit të saj nr.55, datë 10.07.2024. 35. Për këtë arsye, në seancën më të afërt plenare të Kuvendit, kjo çështje duhet të përfshihet në rendin e ditës për votim si projektvendim "Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka" citon A2 pjesë nga raporti i mazhorancës.

Ndërsa opozita shprehet se Kryetarja e Kuvendit t’i komunikoje seancës plenare detyrimin për të votuar pro kërkesës.

1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin "Për dërgimin ne Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo me pak se 1/10 se deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka".

2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t'i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit te Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin "PRO" projektvendimit "Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka", për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prei një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin”, nënvizon opozita në raport.

Siç shkruan A2, një ditë më parë kreu i grupit PS, Niko Peleshi, njoftoi se do të kërkojnë edhe mendimin e Komisionit të Venecias për një opinion për përplasjen e kompetencave mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos