Nuk u mjaftua vetëm me ndjenjën e nostalgijsë kur tha se pas 13 vitesh rikthehet në prokurorinë e përgjithshme…
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u përgjigj edhe si koleg kur tha se është në krah të prokurorëve në lidhje me kërkesën e kreut të SPAK Altin Dumani për qartësimin e "fatit" të prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9 vjeçar.
“Tjetër gjë është e drejta që parashikon, ligji tjetër gjë është garantimi i ushtrimit të profesionit. SPAK është prokurori dhe baraz me Prokurorinë e Apelit. Prokurorët e SPAK do t’u duhet të garantohet profesioni në prokurori apeli. Sot Kushtetuta ka këtë parashikim, por prisni janë në vitin e pestë në momentin që do të shtrohet kërkesa e tyre të jeni të bindur si ministër pa diskutim jam në krahun e tyre", tha Manja.
Mirëpo ndryshimi i Kushtetutës nuk është çështje vullneti personal.
‘’Ndryshimet kushtetuese kërkojnë një vullnet më të gjerë se mazhoranca”, shtoi ai.
Ndërsa në përgjigje të pretendimeve të kryeprokurorit Olsian Çela, se Kodi i ri Penal është i nxituar, Manja e lidhi domosdoshmërinë e tij me nevojën e përputhjes me direktivat e BE.
“Që duhet një Kod i ri Penal, jemi në procesin e negociatave të integrimit në BE, është kërkesë e Brukselit. Kemi një Kod Penal të miratuar në 1995. Në këtë Kod Penal për shkak të zhvillimit është ndërhyrë 33 herë, ndaj Brukseli, por edhe koha kërkon që të kemi një kod të ri penal. Ka një draft që është dorëzuar në ministri, por që do duhet t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë publik. Do jetë një kod penal që do i rezistojë kohës për 20-30 vitet në vijim. Reflektohen në atë draft 61 direktiva të BE”, përfundoi Manja.
Për akuzat e opozitës mbi zbatimin e ligjit për amnistinë dhe premtimin se nuk do të linin qelinë edhe zyrtarë të dënuar, Manja kërkoi ta presin deri të enjten në interpelancë.
"S’ka asgjë për të fshehur në atë ligj, është një ligj që do duhet që parlamenti ta aplikojë sa herë të jetë e nevojshme", tha ministri.
Deklaratat e ministrit të Drejtësisë u bënë në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi paraqiti rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit, të cilat si zakonisht kishin të bënin me nevojën e forcimit të pavarësisë së prokurorëve dhe luftës kundër krimit e për garatimin e të drejtave të njeriut në proceset gjyqësore. (A2 Televizion)