I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të financimit për Gjykatën Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si të korruptuar dhe të ndikuar politikisht.
Në një reagim në X, Grenell ka akuzuar Gjykatën se mban padrejtësisht të burgosur ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se pesë vitesh.
“Haga është totalisht e korruptuar dhe duhet t’i ndalet financimi. Jack Smith ishte një nga prokurorët e kësaj Gjykate që arrestoi Presidentin e Kosovës më shumë se pesë vjet më parë. Ai është ende në burg dhe gjykimi i tij ka filluar vetëm kohët e fundit,” shkroi Grenell.
Grenell, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj Gjykatës Speciale dhe Qeverisë Kurti, tha se kjo strukturë ndërkombëtare po përdoret për qëllime politike dhe po dëmton rëndë drejtësinë ndërkombëtare.
Ai ka akuzuar vazhdimisht Qeverinë në detyrë të Albin Kurtit se nuk po ndërmerr asnjë hap konkret për lirimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë nën akuzat për krime lufte.
(A2 Televizion)