Marrëveshja me SHBA, Balla: Dëshmi konkrete e besimit!; Bardhi: Qeveria s'përmbushi detyrimet ndaj NATO-s

Nga A2 CNN
27 Korrik 2026, 10:56 | Politikë

Marrëveshja me SHBA, Balla: Dëshmi konkrete e besimit!; Bardhi:

Taulant Balla, gjatë fjalës në Kuvend, tha se marrëveshja e huasë direkte midis Shqipërisë dhe SHBA-së për financim të jashtëm ushtarak prej 302 milionë dollarësh është dëshmi e besimit ndaj Shqipërisë.

“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit, që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me SHBA-të. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA ndaj Shqipërisë. Shqipëria ka një angazhim të shtuar në rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Shqipëria mbështet objektivin e ri për të arritur objektivin 5% të NATO-s. Siguria dhe mbrojtja janë prioritete strategjike. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajijsje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s. Financimi do të disbursohet gradualisht sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes. Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e fondeve, afat deri në 12 vjet. Çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes duke garantuar transparencë të plotë”, tha kreu i grupit parlamentar socialist, shkruan A2.

Por, Gazment Bardhi theksoi se opozita nuk është vendosur në dijeni të marrëveshjes dhe procedura e ndjekur është në shkelje të Kushtetutës.

“Kushtetuta për ju është firma e Edi Ramës, për ne është kontrata që kemi lidhur me qytetarët shqiptarë. Më pak se 2% është buxheti i mbrojtjes së Shqipërisë në shkelje të angazhimit në NATO, ndërkohë që Rama mburret publikisht duke gënjyer. Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë. Ne nuk e disponojmë marrëveshjen, s’na është vënë në dispozicion. Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat.

Seanca për miratimin e marrëveshjes do të mbahet në orën 15:00.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos