
Marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët është revolucionare dhe se kjo formulë po kopjohet tashmë nga shumë vende të Bashkimit Europian. Kështu u përgjigj kryeministrja Italiane Giorgia Meloni gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Romë, kur u pyet nga gazetari i Rai3 mbi marrëveshjen për strehimin në Gjadër të Lezhës të emigrantëve të paligjshëm që kapen duke udhëtuar drejt Italisë.
Meloni u shpreh e bindur se pavarësisht se ky projekt ka mbetur në vendnumëro për momentin, do të zhbllokohen sapo të hyjë në fuqi marrëveshja e re për azilin.
“Ka disa vende europiane të cilat prej kohësh përpiqen të ndërmarrin veprime të ngjashme, në të njëjtin drejtim dhe me të njëjtin qëllim. Të gjithë e kuptojmë se një nismë e tillë është revolucionare sa i përket mënyrës së menaxhimit të flukseve të emigracionit. Ne e dimë mirë pse deri më sot nuk ka funksionuar siç duhet. Protokolli do të funksionojë kur të hyjë në fuqi marrëveshja e re për azilin. Nëse disa transferime të emigrantëve janë bllokuar, kjo është një çështje që do të zgjidhet së shpejti. Gjithkush do të marrë përgjegjësitë e veta”, u shpreh Meloni.
Nga ana e tij kryeministri Rama theksoi se nuk është penduar aspak që ka pranuar marrëveshjen për emigrantët me Italinë.
“Si mund të pendohen unë për marrëveshjen për emigrantët?! Nuk di të them se çfarë do të kuptojnë ata që do ndjekin kronikën e përgatitur nga ju. Sepse këto projekte i rrinë mirë jo vetëm Shqipërisë, por edhe italianëve. Pra projekti nënujor, italianët do të shohin rezultatet për këto projekte. I rri shumë mirë Italisë nëse bashkëpunon me ne në fushën e Mbrojtjes, sepse nuk mund të mos thoni pse duhet të blejmë ne armatime nga amerikanët, por se si Italia duke ndihmuar Shqipërinë, bën njëherësh edhe ekonomi për veten. Ju më thoni nëse do kisha bërë të njëjtën gjë duke u kthyer pas. Unë e kam thënë me Italinë do ta bëja 100 herë edhe nëse 100 herë do të ishin kundër. Me vende të tjera kurrë. Kur më pyesin pse? Ju them , ju nuk jeni Italia. Italia mund t’i kërkojë Shqipërisë çfarë ju vjen në mendje dhe ne përgjigjemi po. Por vendet e tjera i respektojmë por nuk mund t’i kërkojnë Shqipërisë, çfarë u vjen në mendje”, u përgjigj Rama. (A2 Televizion)
