
Pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive në Romë, Shqipëria dhe Italia nënshkruan 16 marrëveshje bashkëpunimi në fusha si mbrojtja, ekonomia, arsimi dhe energjia. Pas ceremonisë, kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, dolën në një konferencë të përbashkët për mediat.
Rama e cilësoi ditën si “historike” për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se për herë të parë qeveria shqiptare ulet me atë italiane për projekte konkrete.
“Unë do të vazhdoj të flas në italisht, sepse sot kemi provën shkencore që përveç qeverisë italiane, nuk ekziston një tjetër qeveri që mund të flasë 100 përqind italisht veç asaj shqiptare”, u shpreh Rama, shkruan A2 CNN.
Ai shtoi se marrëdhëniet me qeverinë italiane janë të veçanta dhe të mbushura me “dashuri e dëshirë për bashkëpunim”. Rama falënderoi ministrat italianë për mbështetjen dhe theksoi se falë bashkëpunimit me ministrinë italiane të Mbrojtjes, Shqipëria do të fuqizojë kapacitetet e saj të sigurisë, si edhe ato të përbashkëta me Italinë. (A2 Televizion)
