“Shqipëria vend europian!”. Meloni: Në Ballkan, BE nuk zgjerohet, por ribashkon Europën

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2025, 15:37 | Politikë

“Shqipëria vend europian!”. Meloni: Në Ballkan, BE nuk

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni tha se vendi i saj do të bëjë çmos që të përshpejtojë rrugëtimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, drejt Bashkimit Europian. Në një konferencë për mediat me Kryeministrin Edi Rama, pas mbledhjes së dy qeverive, ku u nënshkruan edhe 16 marrëveshje dypalëshe, Meloni tha se integrimi në fakt është një ribashkim i rajonit me Europën.

“Ne kemi qenë promotorë të zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkan. Nuk e konsiderojmë në fakt zgjerim, por një ribashkim të Europës. Nuk e vendosim ne se kush është europian dhe Shqipëria është sigurisht një vend europian. Na takon ne të vendosim rrugëtimin e këtij ribashkimi sa më shpejt të jetë e mundur, pasi është edhe në interesin tonë”, tha Meloni.

Shqipëria dhe Italia kanë firmosur tw wnjten 16 marrëveshje bashkëpunimi gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Romë. A2 CNN raporton se këto marrëveshje përfshijnë fusha të rëndësishme të bashkëpunimit, nga shëndetësia dhe energjia, deri te siguria, arsimi dhe zhvillimi ekonomik.

Nga 16 marrëveshje që u nënshkruan të enjten mes Shqipërisë dhe Italisë, gjysma e tyre i përkasin fushës së mbrojtjes, industrisë ushtarake dhe mbrojtjes civile. Këto marrëveshje shënojnë një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve, pasi për herë të parë pas rreth tridhjetë vitesh rinovohet partneriteti ushtarak dypalësh.

Sipas burimeve zyrtare, bashkëpunimi i ri mbulon një gamë të gjerë fushash, nga zhvillimi i industrisë ushtarake e deri te teknologjitë e avancuara të mbrojtjes. Një ndër marrëveshjet më të rëndësishme është ajo mes kompanisë shtetërore shqiptare KAYO dhe gjigandit italian Fincantieri, për prodhimin e anijeve ushtarake dhe civile në bazën e Pashalimanit, e cila pritet të shndërrohet në një qendër të re ndërtimi dhe mirëmbajtjeje detare.

Një tjetër marrëveshje u nënshkrua mes KAYO dhe kompanisë italiane Leonardo, e cila do të bashkëpunojë me Shqipërinë në fushën e teknologjive të mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike, një prioritet i veçantë në agjendën e dy qeverive. Marrëveshjet përfshijnë gjithashtu edhe projekte për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile, duke synuar një reagim më të koordinuar ndaj emergjencave natyrore dhe humanitare.

Në total, numri i marrëveshjeve dypalëshe Shqipëri–Itali arrin tashmë në 94, përfshirë ato të firmosura këtë javë. Dokumenti i parë mes dy vendeve daton më 23 prill 1962, me “Marrëveshjen me shkëmbim notash mbi vendosjen e linjës ajrore midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Italiane”. Në vijim, bashkëpunimi është zgjeruar në fusha të ndryshme, duke përfshirë drejtësinë penale, ekonominë dhe menaxhimin e migracionit.

Ky raund i ri marrëveshjesh shënon një etapë të re në marrëdhëniet strategjike shqiptaro-italiane, me fokus të veçantë në sigurinë, zhvillimin industrial dhe bashkëpunimin brenda kornizës së NATO-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos