Sali Berisha e cilëson si të paligjshëm urdhrin e gjykatës që e detyron atë të paraqitet dy herë në muaj para oficerit të policisë gjyqësore dhe i ndalon daljen nga territori i Shqipërisë. Në konferencën me median, Berisha e quajti gjyqtaren Irena Gjoka një mercenare të Kryeministrit, ndërsa avokaten e caktuar nga shteti për ta mbrojtur para togave të zeza e përkufizoi si enveriste.
“Urdhri i gjykatës është i paligjshëm. Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe është e paligjshme. Këtë e bën vetëm Edi Rama me mercenarët e tij, nuk mund ta bëjë njeri kurrë. A e patë atë enveristen dje? Ç’ishte ajo mo? Ajo mirë e boll që nuk kishte nxjerrë Enver Hoxhën në shtrat”, tha Berisha.
Një koment pati për heshtjen e maxhorancës lidhur me hetimine ngritur ndaj tij, ndërsa vlerësoi Gazment Bardhitn për qëndrimin korrekt.
“Heshtja e maxhorancës është heshtja e kriminelit që hedh gurin dhe fsheh dorën. Grupi tjetër ka bërë një deklaratë të plotë si grup parlamentar dhe unë jam dakord me deklaratën që është bërë”, shtoi ish-kryeministri.
Pavarësisht se po përballet me drejtësinë, Berisha pohoi se aksioni opozitar do të vijojë dhe konfirmoi se është i koordinuar me të gjithë aleatët, përfshirë edhe me Ilir Metën.
“Aleatët e mbështesin plotësisht aksionin që nisëm. E kanë mbështetur dhe e mbështesin. Ky është një aksion opozitar që do bëhet uragan opozitar. Edhe nga Partia e Lirisë. Të gjithë bashkë, nuk kemi asgjë të ndarë. Vendimi është konsultuar paraprakisht me Partinë e Lirisë. Dhe vazhdojmë. Vazhdojmë betejën”, shtoi Berisha.
Ndërsa kur pyetet për Lulzim Bashën ka vetëm një koment. “Pengu mbetet peng, brava mbetet bravë”. (A2 Televizion)