Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka iu është përgjigjur interesit të gazetarëve përpara godinës së Strukturës së Posaçme ku qëndroi për më shumë se 1 orë mëngjesin e së premtes.
Numri dy i PD, shpjegon se ishte ftuar në SPAK për kallëzimet e bëra nga demokratët për krimet zgjedhore, por vuri re se Task Forca e ngritur për 11 majin, kishte vdekur në ditën e krijimit të saj.
“Task Forca e cila u ngrit për të hetuar krimin elektoral, vdiq pa u ngritur akoma. Deri tani krimi elektoral që na u premtua se në janar do të niste ndëshkimi, sot është duke i bërë karshillëk SKAP. Krimi elektoral është institucionalizuar dhe ka vendosur fatin e votës. Janë dhjetëra raste kallëzimesh dhe referimesh që PD ka bërë në SKAP, duke nisur nga Durrësi, Vora, Shkodra, Vlora, Fieri. Ne nuk jemi organ hetimor. Isha për një sërë kallëzimesh që lidhen me krime zgjedhore dhe konstatova që Task Forca kishte vdekur ditën e krijuar”, tha Noka. (A2 Televizion)