Debati për Avokatin e Popullit, PD kërkon votimin e Ndregjonit, PS insiston për konsultime

Nga Ervin Koçi
26 Qershor 2025, 16:30 | Politikë

Teksa legjislatura parlamentare po shkon drejt mbylljes, demokratët bënë edhe tentativën e fundit për të ulur në pozicionin e avokatit të popullit një prej njerëzve të vet të besuar. Seanca plenare e kësaj të enjteje riktheu një debat që ishte harruar prej muajsh dhe kjo duket se ka një arsye, socialistët në shtator i kanë votat për ta miratuar të vetëm drejtuesin e këtij institucioni, dhe demokratët nuk kanë se me çfarë t’i imponohen.

Duke akuzuar të majtët se refuzuan Besim Ndregjonin për shkak se vjen nga shtresa e të përndjekurve, Berisha kërkoi nga Spiropali futjen e kësaj çështje për votim.

“Keni hezitim të pranoni një kandidaturë nga shtresa e të përndjekurve politike ndonëse z. Ndregjoni e plotësonte këtë kërkesë”, the kreu demokrat.

Fjalët e Berishës gjetën ironinë e Taulant Ballës. “Nuk shkruhet asgjëkundi në kushtetutën e RSH që Avokati i Popullit i takon opozitës. Vetëm në një rast si pasojë e një marrëveshje politike në 17 maj opozitës iu la një emër. Nëse doni një marrëveshje si në 17 maj, hajde ta flasim”, tha Balla.

“Keni vetinë të mashtroni, të trilloni çdo gjë siç ju vjen. Por këtu këtë sallë çështjen e Avokatit të Popullit e kemi sjellë për votim, por jeni ju që e shtytë”, theksoi Berisha.

Me refuzimin e kërkesës, PD iu rikthye akuzave të saj për procesin zgjedhor të 11 majit. 

“Ku është ajo Sara, as Zeqineja nuk kanë ardhur këtu, pra në qoftë se në Shqipëri u zhvillua farsa më e shëmtuar elektorale, ajo pati pasqyrimin më damkosës në botë. Ky që është këtu, është marrë vesh se Troplinët e paguan 10 milionë euro emërimin e tij. Por ajo që ishte më e veçanta, ishte se e ndërruan më atë tjetrin, me Arkendin”, deklaroi Berisha.

Teksa socialistët po presin të enjten tjetër për t’i vënë drynin Kuvendit, Taulant Balla shfrytëzoi mundësinë për të sfiduar demokratët.

“Keni disa ditë që bëni konferenca për shtyp. Merrini dhe çojini në prokurori. Si ka mundësi që kanë mbaruar zgjedhjet dhe ju s’bëni një kallëzim? Se e dini shumë mirë që s’ka asgjë që qëndron. [...] Ju për ne jeni fat i madh. Por për Shqipërinë, jeni fat i zi”, vijoi Balla.

Parlamenti ka në program edhe një seancë tjetër plenare brenda të cilës është e pamundur të zhvillohen raportimet vjetore të krerëve të institucioneve të pavarura, që kanë mbetur zvarrë për shkak të fushatës së shkuar zgjedhore. Deputetët kanë vendosur t’ja kalojnë kolegëve të rinj në shtator. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos