GJKKO e la në burg, reagon Meta: Asnjë çudi, do e shpartallojmë këtë farsë në Gjykatën e Strasburgut

Nga A2 CNN
26 Qershor 2025, 15:28 | Politikë

GJKKO e la në burg, reagon Meta: Asnjë çudi, do e

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pasi ditën e sotme Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e tij për të zëvendësuar masën e sigurisë dhe lirimin nga paraburgimi, ku qëndron prej tetorit të vitit të kaluar.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Meta shkruan se nuk është i çuditur nga vendimi i asaj që ai e cilëson si drejtësi me regji nga SPAK, që sipas tij përgjon gjykatat dhe ku akuzat formulohen nga tribunat e "Rilindjes".

Ai tha gjithashtu se sëbashku me mbështetësit e tij do ta çmontojnë “këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik”, shkruan A2 CNN.

Në kërkesën e depozituar javën e kaluar në gjykatë nga avokati, Meta e motivonte zëvendësimin e masës me faktin se në 8 muaj SPAK nuk kishte bërë raportimet periodike 2-mujore në gjykatës dhe se ai ishte numri 2 i opozitës në vend.

Ndërkohë, burime pranë SPAK bënë me dije se hetimi ka zbuluar edhe një kartë bankare, të vënë në dispozicion nga një biznesmen, që dyshohet të jetë përdorur nga ish-bashkëshortët Meta-Kryemadhi.

Reagimi i Metës:

Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e "Rilindjes".

Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik.

Ndaj ndiqni sot në ora 17:30 argumentat e mia kryesore kundër pretendimeve qesharake të akuzës, nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Tedi Blushi.

Nesër në ora 11:00 përmes telefonit të z.Blushi i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live.

Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos