Burime nga qeveria dhe Parlamenti konfirmojnë përA2 CNN se konferenca e dytë ndërqeveritare e Shqipërisë me BE do të mbahet me15 tetor, ku vendi ynë do të nisë edhe negociatat konkrete mbi kapitujt e parë, që i përkasin drejtësisë dhe çështjeve të tjera të konsideruara themelore, të cilat janë edhe të fundit që mbyllen në procesin negociues.
Në mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare, mbajtur më 25 shtator, Greqia ka hequr veton duke i dhënë dritën jeshile Tiranës, ndërsa Shkupi zyrtar duhet ende duhet të presë deri sa të plotësojë kushtet e vendosura. Këtë ndarje mes rrugëtimit të dy shteteve që deri tani kishin ecur në paralel, e konfirmoi për A2 CNN edhe zëdhënësja e KE Ana Pisonero.
“Komisioni pret fillimin e negociatave për grupin themelor sa më shpejt të jetë e mundur me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur pasi Maqedonia e Veriut të ketë përmbushur kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli", Ana Pisonero për A2 CNN.
Ndërkohë, më 2 tetor qeveria shqiptare duhet të dorëzojë në Bruksel pozicionin negociues. Për këto zhvillime pozitive të Brukselit nuk ka patur asnjë deklaratë zyrtare nga qeveria. E vetmja që publikisht ka nisur lëvizjet është kryetarja e komisionit për çështjet europiane Jorida Tabaku e cila të premten do të zhvillojë një mbledhje me dyer të mbyllura me anëtarët e komisionit.
Lajmi për takimin e dytë në negociatat Shqipëri-BE me 15 tetor është konfirmuar nga një zëdhënës i BE për portalin Euractiv. Në korrik të 2022 Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE. Pas këtij vendimi shteti shqiptar u mor me procesin screening, fotografimin e legjislacionit shqiptar duke evidentohen dallimet me atë të Unionit. Vendi ynë ishte gati një vit më parë për hapjen e grup kapitujve të pare themelorë, të cilat përfshijnë çështjet më të rëndësishme nga shteti ligjor e Reforma në Drejtësi, zgjedhjet, demokracia por edhe ekonomia. Pengesë për Tiranën zyrtare u bë “vetoja” greke për shkak të konfliktit pas arrestimit të Alfred Belerit, minoritarit që fitoi bashkinë e Himarës por që u dënua për korrupsion zgjedhor. (A2 Televizion)