VIDEO/ Në pritje të burgosjes, Salianji përshëndet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës

Nga A2 CNN
26 Shtator 2024, 15:31 | Politikë

Vetëm pak minuta pasi përshëndeti gazetarët teksa shoqërohej nga Gazment Bardhi dhe u largua nga selia e Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka parakaluar para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Kamera e A2 CNN ka fiksuar momentin kur deputeti demokrat kalon me automjetin e tij tip “Range Rover” para godinës që ndodhet në rrugën “Sami Frashëri”.

I gjendur për pak sekonda në trafik, Salianji nuk ka nguruar t’i përshëndesë edhe gazetarët e kronikës me një buzëqeshje dhe valëvitje dore, shkruan A2.

Vetëm një orë e 30 minuta më parë deputetit të PD iu komunikua nga Gjykata e Apelit vendimi për të lënë në fuqi dënimin e tij me 1 vit burg, që ishte shpallur nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Salianji e kishte ankimuar.

Në vijim pritet që policia të ekzekutojë një urdhër-arresti për Salianjin, sapo të njihet me vendimin e Apelit. Deputeti në komunikatën për mediat pasi mësoi vendimin nuk e përjashtoi vetëdorëzimin në polici, e madje tha se do të jetë i gatshëm për ta kryer dënimin me burg dhe nga qelia do të bëjë edhe betejën politike për zgjedhjet e vitit 2025, raporton A2.

Sakaq, kreu i Grupit të PD Gazment Bardhi pas mbledhjes së deputetëve tha se do të zhvillohet një mbledhje Kryesie dhe më pas ditën e nesërme një tjetër mbledhje e grupit, në të cilën do të merret edhe vendimi për mënyrën sesi PD do të veprojë pas dënimit të Salianjit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos