Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë që e la atë në arrest me burg.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Meta shprehet se vendimet e 3 gjykatave ai i Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit, dhe Gjykatës së Shkallës të Parë, për masën arrest me burg ndaj tij, janë antikushtetuese, pasi shkelin Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se po mbahet në qeli pa akuzë.
Në ankimimin e hartuar nga avokatët Kujtim Cakrani dhe Dylejman Karaj, thuhet se Meta është shoqëruar me dhunë fizike nga forcat e armatosura speciale, duke cenuar rëndë integritetin e tij dhe se në këtë proces, nuk është respektuar dinjiteti njerëzor.
Kreu i Partisë së Lirisë thekson se përdorimi i forcës ka qenë joproporcional dhe jo i nevojshëm, pasi nuk ka prova që ai ka rezistuar apo përbënte rrezik, dhe se në momentin e arrestimit nuk i është komunikuar asnjë arsye, duke shkelur standardet procedurale të një ndalimi të ligjshëm.
Në kërkesë pretendohet se autoritetet kanë shmangur mundësinë e një thirrjeje të rregullt, siç kishte ndodhur më parë, duke e zëvendësuar me një operacion të dhunshëm publik dhe se nuk është marrë parasysh statusi politik dhe institucional i ish-presidentit.
“Në momentin e ndalimit nga Forca e Posaçme Operacionale, nuk i kanë treguar asnjë dokument identifikimi që të kuptohej se ishin forcat e policisë, gjithashtu as urdhërin e ekzekutimit të vendimit gjykatës për arrestim. Në kuptim të kësaj procedure Z. Metaj nuk ju garantuan të drejtat procedurale për të patur një avokat në momentin e ndalimit. Avokati tij ka shkuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë të Tiranës në mënyrë vullnetare i panjoftuar nga askush sepse ka parë në mediat pamjet filmike të rrëmbimit. Edhe familjarët e tij nuk janë njoftuar nga policia, dhe në këtë mënyrë janë shkelur dhe dhunuar garancitë kushtetuese dhe ato të KEDNJ”, thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Një tjetër pretendim është se gjyqtarët që shqyrtuan çështjen, janë subjekt i një mbikëqyrjeje të vazhdueshme nga BKH dhe SPAK, çka sipas Metës, cenon pavarësinë e tyre. Ndër të tjera në ankimim thuhet se sistemi nuk garanton gjykim të paanshëm, pasi gjyqtarët nuk janë të mbrojtur nga ndikimet e pushtetit ekzekutiv.
“I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese: Shfuqizimin si antikushtetues të:
Vendimit penal gjyqësor Nr.57, datë 27.02.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë;
Vendimit penal gjyqësor Nr. 59 (97-2024-333) datë 19.11.2024, të Gjykatës së
Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
Vendimit penal gjyqësor Nr.125, datë 20.10.2024 dhe Nr.130 datë 23.10.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Kujtojmë që ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në qeli prej 21 tetorit 2024.
(A2 Televizion)