Tentuan të kalonin 5 shqiptarë drejt Italisë, arrestohen dy shoferë kamionësh në Durrës

Nga A2 CNN
13 Tetor 2025, 17:09 | Kronikë

Tentuan të kalonin 5 shqiptarë drejt Italisë, arrestohen dy

Dy drejtues kamionësh janë arrestuar nga policia e Kufirit në portin e Durrësit pasi gjatë kontrolleve në mjetet e transportit që drejtonin u gjetën të fshehur 5 shtetas shqiptarë që synonin të dilnin ilegalisht jashtë vendit.

Njëri prej të shtetasve të fshehur në kamionë rezultonte i dënuar me mbi 7 vjet e gjysmë burgim në Ankona dhe ai është vënë sërish në pranga me qëllim ekstradimin për në Itali, ku do të vuajë dënimin për vjedhje, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

“Në kuadër të operacionit “Rolet” u vunë në pranga shtetasit G. Xh., 48 vjeç dhe E. B., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi në kamionët që drejtonin, në dalje të Republikës së Shqipërisë, u gjetën të fshehur 5 shtetas shqiptarë. Nga verifikimet e mëtejshme në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se njëri prej 5 shtetasve që synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit, konkretisht shtetasi Indrit Lleshi (alias Ibrahim Lleshi), 34 vjeç, i lindur në Dibër, ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Ankonës, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 7 vjet, 6 muaj e 9 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. 34-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali”, njofton policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos