Kavaja njësoj si 35 vite më parë u bë sërish kryefjalë e aktivitetit opozitar. Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike dhe ish-zyrtarë të huaj u mblodhën për të inauguruar shtatoren e dëshmorit të parë të demokracisë, Josif Budo, i cili humbi jetën gjatë protestave që u zhvilluan në këtë qytet kundër diktaturës komuniste.
Për Sali Berishën, edhe sot pas 35 vitesh sakrifica e Josif Budos duhet të jetë kushtrim për çdo shqiptar.
“Pas 35 vitesh, gjaku, sakrifica, idealet e Josif Budos janë një kushtrim i vërtetë për çdo shqiptar, për çdo shqiptare. Ju u kujtohet, situata e sotme me vitet ’90 në disa aspekte është vite drite larg. Por në disa të tjera është po aq e zezë sa ç’ishte në vitin 1990”.
Thotë se sot nuk pushkatohen më kundërshtarët, por burgosen, ndaj edhe nga Kavaja vlësësoi ish-deputetin Ervin Salianji, i cili pak ditë më parë fitoi lirinë pas 10 muajsh burg.
“Ai burgos kundërshtarët. Ervin Salianji foli këtu sepse dënoi mbrojtjen që Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama i bënin Geron Xhafës për trafiqet e Vlorës. Çdo shqiptar duhet të nderojë Josif Budën, gjakun e tij, sakrificën e tij, me një betim solemn se nuk do pajtohemi kurrë me këtë regjim”.
Vetë Ervin Salianji i pranishëm në këtë aktivitet, kujtoi kohën e kalimit në burg ndërsa tha se po jetojmë në një diktaturë të re.
“Zemra më thotë të flas si qytetar, jo si përfaqësues politik. Si një individ që sapo përfundoi njohjen me burgun, jo si metaforë, por si realitet ne diktaturën e re. Në një izolim ku jeta numërohet me orë, por me durim. Me heshtje. Me qëndresë.”
Për ish-ambasadorin gjerman Verner Daum, i cili ka shërbyer në Shqipëri në vitet 90, sakrifica e dëshmorit të demokracisë Josif Budo, ishte e nevojshme për të krijuar një Shqipëri të re.
“Josif Budo pagoi çmimin më të lartë për mendimin e tij, për dëshirën dhe për dashurinë ndaj vendit të tij. Duhet ta dini dhe ta përcillni sakrificën e Josif Budos, e cila nuk ishte vetëm një shkëndijë për Shqipërinë, por sakrifica e nevojshme për të krijuar një Shqipëri të re”.
Pas ceremonisë për shtatoren e Josif Budës, ish-ambasadori gjerman Verner Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, për kontributin e tij në vitin 1990. (A2 Televizion)