Që prej mëngjesit të kësaj të hëne, Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e aksionit për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave.
Në kryeqytet, efektivët kanë filluar sekuestrimin e mjeteve elektrike, ndërsa qytetarët kanë shprehur pakënaqësi për këtë vendim, pasi ende nuk ka një udhëzim të bazuar në ligj për ndalimin e monopatinave, shkruan A2.
Gjatë orëve të para të ditës, dhjetëra qytetarë janë paralajmëruar të respektojnë ndalimin, por autoritetet theksojnë se masat do të ashpërsohen në vijim. Ndër to parashikohen shoqërime në komisariat dhe bllokim i mjeteve në rast përsëritjeje të shkeljeve.
Megjithatë, edhe pse policia ka dalë në terren, shumë qytetarë vijojnë të lëvizin lirisht me monopatina nëpër rrugët e Tiranës.
Vendimi për ndalimin e monopatinave u mor një ditë më parë nga ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në bashkëpunim me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Sipas ministres, masa është e nevojshme për shkak të shtimit të ndjeshëm të aksidenteve ku janë përfshirë monopatina.
Shqipëria nuk është i vetmi vend që përballet me këtë problematikë. Edhe Franca, Italia, Gjermania, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera europiane kanë ndërmarrë masa drastike, duke kufizuar ose ndaluar plotësisht përdorimin e monopatinave në disa zona. (A2 Televizion)