Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku, është shprehur se ‘vijat e kuqe’ mes partive të opozitës dhe Lëvizjes VetëVendosje të Albin Kurtit, kanë rënë.
Teksa ishte i ftuar në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, Çejku tha se Lidhjen Demokratike të Kosovës e sheh më afër Lëvizjes VetëVendosje, për formimin e qeverisë së re dhe për ruajtjen e Presidencës nga partia e Abdixhikut.
Çejku tha gjithashtu se në momentin e balotazhit për zgjedhjet lokale do të duket nëse Kurti do të arrijë më pas të formojë qeverinë me ndonjë nga partitë e opozitës, apo nëse partitë e opozitës do të bashkohen mes tyre kundër Lëvizjes VetëVendosje.
“Nëse kjo do të jetë një garë e përçarë, pra do të duket që vendimmarrja do të jetë në nivele lokale, pra në varësi të çdo komune, mendoj se Kurti ka më shumë mundësi pastaj për të shkuar drejt një koalicioni me një parti që mund ta ndiej më afër.
Do të jetë një ndarje interesash e orëve të fundit, pasi Kurti të ketë parë se çfarë mori në këto zgjedhje, ndërkohë do të shohë se cila parti do të thyejë bllokadën për t’ju afruar për një bashkëqeverisje të mundshme.
Të gjitha palët, por kryesisht Kurti gjatë kësaj periudhe, e zhvlerësoi votën qytetare. Dhe unë prisja që të kishte një reagim qytetar ndaj kësaj talljeje që u bë me institucionet kryesore. Por duket që qytetarët përsëri, duke parë se çfarë manovrash përdor Kurti për të ndërtuar në qeverisje, edhe për të ardhur deri te zgjedhjet lokale, pavarësisht kësaj, nuk ka ndonjë metër morali apo etike që mat efektet e këtyre sjelljeve politike dhe mendoj se Kurti ka të drejtë ta kërkojë qeverinë dhe të qeverisë në mënyrën e tij.
Fituesi i madh është Kurti, sepse ai është kandidati për kryeministër. Ai pret edhe aktin e fundit për t’i dhënë goditjen e fundit partive të opozitës. Aty u thyen linjat e kuqe. Duke pasur më shumë vota, Kurti do ta bëjë lojën më të fortë. Besoj se partitë e opozitës do të kenë një marrëdhënie me Kurtin. Nëse do të ketë një koalicion, ata që do të jenë pjesë e koalicionit dhe këtu unë nuk e përjashtoj që LDK me Abdixhikun të jetë më afër me Kurtin për të ruajtur Presidencën dhe për të pasur një riformatim dhe bashkëqeverisje për katër vitet e ardhshme”, tha mes të tjerash Çejku.
(A2 Televizion)