Në vijim të vizitës zyrtare në Sofje, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u prit nga Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova. Spiropali është e para kryeparlamentare e ftuar në Parlamentin e Bullgarisë, pas zgjedhjes së Kryetares Kiselova, shkruan A2.
“Intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit dhe Asamblesë Kombëtare do të nxisë marrëdhëniet dypalëshe si edhe dialogun politik mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, të cilat janë aktualisht të shkëlqyera, të qëndrueshme dhe pa asnjë çështje të pazgjidhur mes dy vendeve. Bashkëpunimi i ngushtë parlamentar do të vijojë nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe deputetëve. Ky ndërveprim do të rritet edhe në kuadrin e sfidave të lidershipit të Kuvendit në procesin e integrimit europian, për të cilin kemi edhe mbështetjen politike e teknike të Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë. Ne, shqiptarët, jemi krenarë që kemi nje vend mik e partner si Bullgaria, e cila është ndër mbështetësit më të fuqishëm të objektivit tonë kombëtar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Shqipëria është në pararojë të vendeve kandidate drejt BE-së dhe konstatojmë me kënaqësi që ky plan, i cili ka fituar mbështetjen e Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe parlamenteve të mjaft vendeve anëtare, ka edhe mbështetjen e vendosur të Asamblesë Kombëtare dhe të Bullgarisë. Përshpejtimi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perendimor, si një proces i mbështetur në meritën dhe një prioritet i zgjerimit, është i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Europian. Jetojmë në kohë të trazuara dhe një Europë më e madhe do të thotë një Europë më e fortë dhe më e sigurt. Kuvendi dhe Asambleja Kombëtare do të nxisin marrëdhëniet ekonomike e tregtare mes dy vendeve, të cilat duhet të ngrihen në nivelin e dialogut politik dhe miqësisë mes popujve. Për këtë mund të ndjekim modelin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, për të cilin në tetor 2024 të dy vendet nënshkruan Planin e Përbashkët të Veprimit, dhe mbrojtjen sociale, marrëveshja dypalëshe për të cilën është duke u zbatuar. Shkëmbimet ekonomike, tregtare dhe në fusha të tjera u shërbejnë afrimit dhe mirëqënies së njerëzve tanë. Parlamentet mbështesin forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve tona si anëtare të NATO-s, bazuar në interesat kombëtare, parimet e integrimit euroatlantik dhe nevojën për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e paqes në rajon, Europë dhe në botë.”, u shpreh Spiropali.
Kryetarja Kiselova vlerësoi arritjet e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, përgëzoi Spiropalin për miratimin nga Parlamenti Europian në 9 korrik të Rezolutës për Shqipërinë, e cila u votua nga të gjithë eurodeputetët bullgarë dhe e vlerësoi vendin tonë si një kampion në plotësimin e kritereve të anëtarësimit: “Objektivi i Shqipërisë për anëtarësim brenda vitit 2030 ka mbështetjen e vendosur të Bullgarisë dhe plani i juaj është edhe i yni. Asambleja Kombëtare e Bullgarisë, përveç mbështetjes politike, do t’i japë edhe ndihmë teknike Kuvendit në procesin e integrimit europian”.
(A2 Televizion)