Pas zgjedhjes si President i Partisë së Lirisë dhe miratimit të 5 prioriteteve të kësaj force politike, Ilir Meta, shpalosi këtë të mërkurë programin qeverisës, me të cilin thotë se do të drejtojë vendin nëse vjen në pushtet.
Ai premtoi se rritja ekonomike do jetë prioriteti kryesor.
“Që në mandatin e parë qeverisës të dyfishojmë pagat e punonjësve për të arritur mbi nivelin e mesatares së rajonit. Të dyfishojmë pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve. Të dyfishojmë pensionet”, tha Meta.
Edhe kur vjen puna te bujqësia, që është një prej 5 prioriteteve të Partisë së Lirisë, Presidenti i kësaj force politike premtoi mbështetje për çdo bujk dhe blegtor.
“Për çdo litër qumësht prodhim vendas të dorëzuar në pikat e autorizuara do të paguhen 10 lekë të rinj, subvencion edhe për fermat e derrav edhe viçave”, shtoi ai.
Mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues Kombëtar, Meta e shfrytëzoi për të folur dhe për nepotizmit ku tha se brenda partisë tashmë kjo çështje është zgjidhur.
“Do ta çrrënjosim për 24 orë nepotizmin nga administrata shtetërore”, shtoi Meta.
Vend për kritika pati edhe për sistemin e drejtësisë, të cilin e konsideron të kapur nga Edi Rama.
“Drejtësinë e ka kapur për fyti Edi Rama. Ku është qytetari që na dëgjon dhe ramaforma e premtuar. Me hartën e re gjyqësore që premtuan këta i lanë qytetet pa gjykata, edhe Shkodrën e kanë kthyer në një kryefshat të veriut”, përfundoi Meta në fjalën e tij.
Presidenti i Partisë së Lirisë premtoi gjithashtu se nëse Shqipëria do qeveriset prej tij nuk do ketë më tendera sekretë. (A2 Televizion)