Prej më shumë se dy orësh opozita dhe mbështetësit e tyre janë duke protestuar para Bashkisë së Tiranës.
Protesta nisi e qetë, shoqëruar me fjalime të këshilltarëve bashkiakë të PD dhe PL, ndërsa paralelisht zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak online, ku mori pjesë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj pasi doli nga SPAK, ku u morr në pyetje për 7 orë.
Tubimi ka agravuar në momentin kur me protestuesit janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, si Gazmend Bardhi, Flamur Noka e Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Luan Baçi edhe të tjerë...
Qytetarët kanë shkulur gardhin metalik të vendosur përpara kordonit të policisë, ndërsa këshilltarët bashkiakë tentuan të mësyjnë brenda institucionit.
Nuk munguan as përplasjet fizike midis protestuesve dhe policisë, ndërsa molotovit dhe sendeve të forta që u hodhën në drejtim të tyre, efektivët iu kundërpërgjigjën duke përdorur gazin lotsjellës.
Gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj raporton se nga protestuesit janë hedhur në drejtim të policisë edhe gurë.
"Një prej protestuesve që hidhte sende të forta dhe lëshonte fyerje drejt efektivëve është arrestuar nga policia. Zotëria i shoqëruar (rreth të 60-ve) ka qenë me maskë dhe ka rezistuar më shumë ndaj gazit lotsjellës, por sapo turma është shpërndarë, atij i janë vendosur prangat dhe po dërgohet në komisariatin më të afërt", raporton ai.
Ndërkohë, organizatorët dhe uniformat blu kanë bërë thirrje me megafon për të ndalur hedhjen e gurëve në drejtim të efektivëve të policisë.
Protesta pritet që të zgjasë deri në orën 20:00, orari i përcaktuar edhe në lejen që Policia e Tiranës ka dhënë për organizatorët, por nuk përjashtohen skenarë të tjerë nga opozita, pasi tubimi i sotëm ka qenë më i tensionuar se katër të mëparshmit. (A2 Televizion)