Teksa ora shënonte 16:00, këshilltarët opozitarë u paraqitën në godinën e Bashkisë së Tiranës për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, por derën e gjetën të mbyllur. Dera e mbyllur me çelës dhe zinxhir ishte një arsye për opozitarët që të hidhnin akuza në drejtim të kreut të bashkisë, Erion Veliajt.
Dorian Teliti, nënkryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë, u shpreh: “Nuk na lejojnë që të futemi brenda”.
Qytetarët ndërkohë nisën të grumbullohen në sheshin para bashkisë, ku thirrjet edhe këtë herë ishin të njëjta. Me skenar të paracaktuar dhe me fjalime të përqendruara kundër kreut të bashkisë, dukej se protesta do të ishte e qetë, por as këtë herë nuk mungoi molotovi. E kur mbaroi molotovi, drejt bashkisë nisi hedhja e vezëve, frutave dhe perimeve, ku qytetarët treguan indinjatën e tyre.
Teksa qytetarët protestonin, Erion Veliaj arriti që të hynte në zyrën e tij dhe mori pjesë në mbledhjen online të Këshillit Bashkiak, fakt që acaroi më shumë turmën. Pas këtij njoftimi, këshilltarët opozitarë tentuan hyrjen në godinë, por gardhi metalik dhe ai policor ua pamundësoi futjen brenda ndërtesës. Teksa përplasjet mes uniformave blu dhe qytetarëve vijonin, një prej punonjësve të policisë humbi ndjenjat. Ndihma e parë iu dha nga mjeku Ilir Alimehmeti, ndërkohë dhe protestuesit i erdhën në ndihmë duke i hapur rrugën ambulancës.
Pas këtij akti humanitar vijuan sërish përplasjet, këtë herë në një kënd tjetër, ku këshilltarët bashkiak tentuan sërish hyrjen në godinë. Edhe kjo tentativë dështoi, duke shtuar tensionet në radhët e qytetarëve, të cilët nisën heqjen e gardhit metalik. Pas këtij akti, kundërpërgjigja e uniformave blu ishte më e ashpër, duke hedhur gaz lotsjellës mbi turmën e qytetarëve.
Gazi lotsjellës shënoi dhe fundin e tentativave për të hyrë në bashki, por aktet e dhunës vijuan ku nuk mungoi as hedhja e gurëve në drejtim të godinës. Me thirrjen për qetësi të organizatorëve, qytetarët nisën të shpërndaheshin, ku një pjesë e madhe e tyre marshoi drejt banesës së Sali Berishës. Lideri historik i demokratëve i priti në ballkonin e banesës së tij, ku qëndron i izoluar prej katër muajsh, dhe i falenderoi për qëndresën e treguar: “Përulem me nderimin më të pakufishëm përpara jush. Përulem me nderimin më të pakufishëm para guximit tuaj, para fitores tuaj, para betejës që bëtë sot, më epikja në 13 vitet e fundit. Sot, ju qëndrestare dhe qëndrestarë të opozitës shënuat pas 20 shkurtit, mosbindjen civile, betejën më të fuqishme që nga viti 1991 gjer sot”.
Kaosi i krijuar para godinës së Bashkisë së Tiranës ia la vendin qetësisë, ku edhe këtë herë e gjithë zona u konsiderua si një skenë krimi.
(A2 Televizion)