Çmimet e reja të referencës, PD: Shtohet barra fiskale për qytetarët, të anulohet kjo iniciativë

Nga A2 CNN
26 Korrik 2025, 14:27 | Politikë

Partia Demokratike është kundër projektligjit të propozuar nga qeveria për rritjen e çmimit të referencës në shumë zona. Në një deklaratë për mediat, këshilltari për çështjet ekonomike, Dorian Teliti, u shpreh se çmimet e reja të referencës rrisin barrën fiskale për qytetarët dhe kërkoi prej qeverisë që të ndalë këtë iniciativë.

“Qeveria ka vendosur të rrisë  çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme në të gjithë vendin, pa kryer asnjë konsultim publik me qytetarët dhe grupet e interesit. Çmimet e referencës rriten ndjeshëm, madje në disa zona, si p.sh Durrësi, këto çmime reference janë trefishuar, duke arritur deri në 2 mijë euro për m2. Të jini të qartë, se ky vendim i beftë nuk është thjesht një ndryshim me karakter teknik financiar. Është një akt i pastër politik që ka si synim të rrisë të ardhurat në buxhet përmes një formë të fshehtë të rritjes së taksave. Me këtë vendim qeveria godet drejtpërdrejt qytetarët. Rritet menjëherë taksa e pronës së banesave. Ky nuk është një vendim i rastësishëm. Është pjesë e një modeli qeverisës të gabuar, ku qytetarët e zakonshëm e ndjejnë përditë mungesën e shtetit dhe praninë e rëndë të padrejtësive. Partia Demokratike kërkon: Anulimin e menjëhershëm të kësaj iniciative, duke mos ndryshuar çmimet  e referencës së banesave. Realizimin e një reforme të thellë dhe të ndershme fiskale, me anë të një procesi konsultimi publik transparent me qytetarët, grupet e interesit dhe profesionistët e fushës, me qëllim uljen e barrës fiskale për familjet dhe sipërmarrjet shqiptare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos