Rama nis aksionin e ri: Pastrojmë të gjitha rrugët nga “rraqet”, keni afat deri më 31 korrik

Nga A2 CNN
25 Korrik 2025, 10:08 | Politikë

Rama nis aksionin e ri: Pastrojmë të gjitha rrugët nga

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një aksioni të ri kombëtar për çlirimin e rrugëve kombëtare nga “rraqet dhe materialet e shumta të vendosura në mënyrë të paligjshme nga bizneset buzë akseve rrugore”

Në një postim në rrjete sociale, Rama njoftoi se të gjitha bizneset që operojnë pranë rrugëve kombëtare kanë afat deri më 31 korrik për të larguar çdo material që ndodhet brenda distancës 20 metra nga aksi rrugor, që është edhe kufiri i përcaktuar me ligj si zonë sigurie. Kjo përfshin materiale ndërtimi, automjete të amortizuara, inerte apo rraqe të tjera që, sipas tij, dëmtojnë estetikën, sigurinë dhe mjedisin.

Përjashtim bëjnë vetëm objektet e ndërtuara me leje, por jo materialet që ndodhen në oborret e tyre të përparme apo gardhet që dalin jashtë kufijve të lejuar. Sipas kryeministrit, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të dorëzojë projektet për riorganizimin e hapësirës për çdo subjekt përkatës, shkruan A2 CNN.

Rama paralajmëroi masa të ashpra ndëshkimore për ata që nuk respektojnë afatin, duke shtuar se “ushtrimi i aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit, mjedisit dhe sigurisë në rrugët kombëtare duhet të konsiderohet i mbyllur”.

“Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe faza kalimtare ka marrë fund. Ky është një përkushtim për Shqipërinë 2030 në BE,” shkroi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos