“Molotov pa benzinë”, hetimori i Sterilizimit kthehet në sherr mikrofonash PS-PD

Nga Ervin Koçi
8 Tetor 2024, 15:12 | Politikë

Komisioni hetimor për koncesionet e Check-Up dhe sterilizimit u kthye në arenë përplasjeje ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Sherri nisi kur kryetarja Albana Vokshi nuk pranoi t’i jepte të drejtën e fjalës socialistit Plarent Ndeca, çka shkaktoi jo vetëm akuza reciproke por edhe largimin e shumicës nga salla. Me ikjen e PS-së ra edhe kuorumi, çka bëri që administrata e Kuvendi të ndërpriste sinjalin e mbledhjes e për pasojë, mbylljen e saj.

Opozita u mundua ta kthejë në zgjatim të protestës së një nate më parë mbledhjen e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, ku pas bojkotit të javës së kaluar u rikthye të merrte pjesë. 

Palët u pozicionuan në llogoret përkatëse që në nisje të mbledhjes, ku duket se ishin në kërkim të një shkaku për t’u përplasur politikisht, shkruan A2.

“Më jep fjalën”, tha Ndreca, me Vokshin që ia kthehu: “Mos provoko”.

Plarent Ndreca kërkoi të fliste pas Albana Vokshit, por kjo e fundit fjalën ia kishte dhënë Ina Zhupës, dhe asnjëri nuk toleroi duke mbajtur të tre mikrofonat ndezur. 

Loja e nën/kryetarit me mikrofonin synonte që regjia e automatizuar e Kuvendit të mos çonte kamerat tek deputetja demokrate. Heqja e fishës nuk e la Ndrecën pa mikrofon i cili ndezi një tjetër që kishte në krah, raporton A2.

“Hajde fike edhe këtë...”, i tha ai Vokshit.

Mbledhja e Komisionit vinte një ditë pas protestës së opozitës, komentet për të cilin nuk munguan, aq më shumë kur demokratët tentuan të bllokonin fjalën e Ndrecës përmes zhurmës.

“Ky është molotov pa benzinë”, tha Ndreca.

Demokratët arritën të mbushnin kupën e socialistëve të cilët zgjodhën t’i jepnin fund mbledhjes duke u larguar nga salla. Me ikjen e maxhorancës as opozita nuk mundi të vijonte mbledhjen pasi Kuvendi vendosi të fikë sinjalin për mediat, për shkak se kuorumi kishte rënë, përcjella A2. Nga salla e komisionit akuzat kaluan te mikrofonat e gazetarëve.

“Me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm është urdhëruar pra që të hiqet transmetimi Live. Pra administrata, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit vendos nëse mbledhjet e Komisionit do të vijojnë ose jo”, tha Albana Vokshi.

Ndërsa Plarent Ndreca deklaroi: “Ne sigurisht nuk mund të bëhemi pjesë e agjendës së Kryesisë së Partisë Demokratike, apo agjendës partiake të PD. Ne kemi agjendën tonë parlamentare, të cilën kemi detyrim ligjor për ta zbatuar.”

Komisioni hetimor për dy koncesionet në shëndetësi, atë për Chek Up dhe të Sterilizimit, është në skadim të afatit të zgjatur më parë, ku dëshmitari më i rëndësishëm është ish-ministri Ilir Beqja, për të cilin Vokshi njoftoi se ka kërkuar më shumë kohë për realizimin e seancës dëgjimore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos