Edi Rama zgjodhi të heshte për protestën e opozitës që nisi poshtë Kryeministrisë e më pas i vuri flakën selisë së Partisë Socialiste, shkruan A2 CNN. Por shefi i qeverisë nuk la pa e shfaqur publikisht që në takimin me kryebashkiakët i ishin përgjigjur pozitivisht edhe të zgjedhurit vendorë demokratë.
“Boll kemi parti të ndarë në dysh, në tresh, në katërsh. Këtë partinë e punës e duam njësh, socialistë dhe demokratë këtu jemi për punë”, tha Rama.
Pas 4 ditësh, Kryeministri vendosi që të fliste edhe për përmbytjet në Vlorë, të cilat i krahasoi me atonë Dubai. Pas justifikimit, nuk shmangu kritikat për reagimin e strukturave shtetërore. “Çfarë nuk është e shpëtueshme, nuk është e shpëtueshme, por ama çfarë është e shpëtueshme dhe nuk shpëton për shkak të dobësive të punës dhe të koordinimit është praktikisht një dështim që ne nuk kemi si ta justifikojmë”, tha Rama.
Vendosi që të mos nxirrte emrat, por Rama zbuloi që disa prej atyre që kishte përballë ishin të pa interesuar për të marrë fonde për shërbimet sociale në favor të qytetarëve te zonave përkatëse. “Ka bashki këtu që nuk kanë marrë një kokërr leku, kjo pastaj është ne kufijtë e skandalozes. Pse? Për gratë me fëmijë, të vetmuara, për fëmijët autikë, për individë të rrezikuar në aspektin social, të kemi fondet dhe të mos i vëmë në dispozicion? Po pse?”, u tha Rama të zgjedhurve vendorë, shkruan A2 CNN.
Kryeministri ishte i pakënaqur edhe me rezultatet e rolit të bashkisë për sa i përket legalizimeve, ndërsa kishte një lutje të veçantë për Policinë e Shtetit për ndërtimet pa leje. “Të mos e shikojnë luftën me ndërtimet pa leje te riparimet e vogla dhe tek shtesat brenda pronës për nevoja jo biznesi. Arroganca e pushtetit dhe injorimi i qytetarëve është një nga problemet kryesore si në bashkitë e vogla ashtu edhe tek ato të mëdha. Kjo tani nuk është temë, është plagë që ka të bëjë me nivelin shumë të ulët të ndërveprimit dhe të përgjigjes ndaj qytetarëve ata flasin, çojnë ankesa, vijnë tek platforma e madhe, transferohen menjëherë tek bashkitë dhe është sikur hedh shishe në det, nga ato që hidhnin letrat e amanetet e fundit kur mbyteshin anijet dhe ta gjejë kush ta gjejë”.
Brenda tetorit, ekipi qeveritar i Edi Ramës pritet të prezantojë “paketën e maleve” për t’u ardhur në ndihmë biznesit turistik.
(A2 Televizion)