Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me kryetarët e bashkive, tha se duhet një fokus i veçantë tek legalizimet dhe vlerësoi në këtë aspekt Bashkinë e Shijakut.
Kreu i qeverisë u shpreh se bashkitë e tjera nuk e arrijnë dot Shijakun, por së paku "të konkurrojnë për vendin e dytë", raporton A2 CNN.
Rama nënvizoi se qytetarëve u duhet kthyer përgjigje në kohë rekord.
"Shijakun nuk e arrini dot për legalizimet. Rakip, ti bën shumë gjëra, por Shijakun nuk e arrin dot. Shijaku ka një shpejtësi dhe paraqitje të çdo dokumenti të çdo banori. Nuk po them ta arrini Shijakun. Të paktën të luftoni për vendin e dytë, këtë mund ta bëni. Duhet fokus i veçantë tek legalizimet", deklaroi Rama.
"Qytetarëve t’i përgjigjeni në kohë rekord. Platforma e Bashkëqeverisjes është krijuar që qytetarët ta çojnë ankesën dhe të gjendet përgjigja e saktë për qytetarin. Pse nuk ka asnjë bashki që në Platformën e Bashkëqeverisjes të performojë në nivele të larta. Është bërë punë, por duhet më tepër se kaq", shtoi kryeministri. (A2 Televizion)