Kreu i Grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend ku diskutohet projektrezoluta e PS për anti-korrupsionin, u shpreh se opozita nuk do e votojë. Bardhi e ka cilësuar të panevojshëm miratimin e rezolutës, që sipas tij, i cakton atyre se çfarë duhet të bëjnë.
Ndër të tjera ai ironizoi mazhorancës duke iu thënë “mund të votoni rezolutën, mund të botoni madje edhe një libër apo manual sesi mire qeveriset me Arben Ndokën apo Rrahman Rrahjan”.
“Kuvendi nuk ka nevojë që ti thotë vetes me shkrim që është i ndërgjegjshëm që duhet luftuar korrupsioni. Kush është realisht i ndërgjegjshëm për këtë s’ka nevojë t’ia pohoi vetes as me shkrim dhe as me zë të lart. Mjafton ta bëjë pjesë të përditshmërisë së tij gjatë ushtrimit të funksionit, të punojë për këtë çdo ditë, të tregojë shembullin personal, të ngrejë zërin ndaj akteve korruptive. Ne këtë e kemi bërë dhe do ta bëjmë, pa qenë nevoja që t’ja themi vetes përpara pasqyrës dhe as për të bërë propagandë me këtë çështje. Në emër të grupit parlamentar të PD, ju konfirmojmë se ne e çmojmë të panevojshëm miratimin e një Rezolute, për ti caktuar vetes axhendën apo se çfarë duhet të bëjmë. Prandaj, do të abstenojmë, duke mos marrë pjesë në votim. Që ditën kur jemi betuar mbi Kushtetutë, e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Ju që nuk e keni ende të qartë axhendën tuaj, ju që keni nevojë t’ia konfirmoni vetës para pasqyrës që do luftoni korrupsionin me fjalë, mund ta bëni, mund të votoni rezolutën, mund të botoni madje edhe një libër apo manual sesi mirëqeveriset me Arben Ndokën apo Rrahman Rrahjan.”, u shpreh Bardhi.
Në përgjigje të akuzave të PD, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka ironizuar kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Ajo u shpreh se sa herë e sheh Bardhin, e pyet veten nëse është ai që lufton për korrupsionin në parlament, apo që shkon poshtë ballkonit për të mbrojtur shtatoren e korrupsionit.
“I dashur koleg sa herë të shoh dhe të dëgjoj pyes veten, kush je? Je ai që lufton më fjalë korrupsionin këtu, apo ai që shkon poshtë ballkonit, për të mbrojtur shtatoren e korrupsionit. Je ai që lufton për luftën për drejtësi Gazi, me SPAK me fjalë gojë, apo je ai që merr porositë për të folur këtu nga goja e rrugës së shpresës që nuk pushon duke hedhur vrer nda SPAK-UT. Je ai që kërkoje hetim për babin e Zenit, apo je djali i sapo adoptuar i babait të Zenit. Të ndryshosh mendje nuk është mëkat, por të kesh dy mendje është hall i madh. Edhe njëherë si përherë, dy kampe, që edhe për datat në kalendar nuk bien dakord. Edhe për rezolutën që është sjellë sot për të votuar deklaroni votën abstenim, e paskeni ndryshuar, se keni qenë kundër. Kundër saj keni qenë edhe para se ta lexoni. Është e drejta juaj të zgjidhni. Unë modestisht ju ftoj të bëni të kundërtën.”, u shpreh Spiropali.
(A2 Televizion)