“Mosbindja, me ngujim e greva”. Berisha paralajmëron Ramën: Dje ishte fillimi, reago sa je në kohë

Nga Anesti Barjamemaj
8 Tetor 2024, 16:13 | Politikë

Një ditë pas tubimit në Tiranë, që për Partinë Demokratike shënoi nisjen e mosbindjes civile, Sali Berisha doli para mediave. Teksa falënderoi demokratët që iu përgjigjen thirrjes për të qenë në shesh, pohoi se shfaqja e forcës mbrëmjen e së hënës ishte një sukses për opozitën. Ndaj pati një thirrje me tone kërcënuese për Kryeministrin Edi Rama.

“Reago sa je në kohë. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, as dhe të marrim pushtetin me forcë. Kërkojmë vetëm qeveri teknike si mënyrën më të mirë, më demokratike, më të civilizuar për të garantuar zgjedhje të lira. Pse ke frikë Edi Rama?”, tha Berisha.

Protesta e të hënës ishte aksioni i parë, tha Berisha, duke shtuar se në tryezën e demokratëve janë një sërë formash të mosbindjes civile që do të vihen në zbatim në vijim, shkruan A2 CNN. “Kemi ngujime përpara. Kemi greva. Kemi bllokime permanente rrugësh. Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do asfiksojnë dhe paralizojnë narkoshtetin. Që do ta shkërmoqin narkodiktaturën. Dhe nëse ti mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe do kufizohet aty, mendohu mirë Edi Rama”, tha Berisha.

Lideri demokrat shpjegoi se paralelisht me aksionin në terren do të informojnë edhe ndërkombëtarët, pasi sipas tij janë të dezinformuar për atë që po ndodh në Shqipëri. “Sepse qeveria i mashtron nga mëngjesi gjer në darkë me variante false”.

Por teksa Berisha ishte duke vijuar komunikimin me median, fjala e tij u ndërpre për shkaqe teknike. Zyra e medias në Partinë Demokratike deklaroi se shkëputja e internetit në banesën e kryedemokratit kishte qenë e qëllimshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos