“Nano ikte kur ndjente se ishte i tepërt”, Kadilli: Sot janë gati të vdesin në politikë

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2025, 21:57 | Politikë

Ish-zyrtari demokrat, Fatbardh Kadilli, në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, deklaroi se ndryshe nga politikanët e sotëm, Fatos Nano dinte të largohej kur e ndjente veten të tepërt.

“I kishte të gjitha mundësitë kur doli nga burgu që ta shtypte si mizë çdo zë kundër në partinë e vet. Nuk e bëri, përkundrazi i lejonte hapësirë dhe kishte një veti që ngjiste shumë sulmi ndaj ndaj tij sepse krijonte ai vetë hapësirën. Bëhej shënjestër e lehtë edhe prej disa sjelljeve prej “dandy” herë pas here edhe prej shpengimi natyral që ndoshta e kishte, por unë nuk e jam njohur si person dhe nuk di ta vlerësoj nga ana e personit”, tha Kadilli.

“Besoj që largimi i tij nga politika hoqi nga skena një aktor që kishte cilësi dhe nuk kishte urrejtje në sjelljen e tij për kundërshtarët. Kishte aftësi për të bashkëjetuar dhe me kundërshtarët brenda partisë dhe me kundërshtarët politikë në krahun tjetër. Kishte aftësinë të përmbahej dhe ka dhënë dy herë dorëheqje. Disa herë si kryeministër, por edhe në parti. Ai dha dorëheqje kur ishte kryetar partie dhe ndjeu që qeveria e Majkos dhe e Metës nuk po e përfillte dhe po luante lojëra të tjera. I hyri garës së vet politike dhe fitoi përballë Majkos si kryeministër dhe Ilir Metës si zv/kryeministër. Një garë vërtet dinjitoze. Një njeri me atë kapacitet dhe kapital politik do ta kishte shumë të lehtë të sillej ndryshe. Pra, kjo mungesë e njeriut që di të iki nga politika, që kur e ndjen që është i tepërt, kur e ndjen që nuk është më në vendin e vet, të dijë të largohet, kjo kulturë iku bashkë me të. Për fat të keq, ai e interpretoi vetë shumë mirë, por nuk zuri vend, nuk u ngulit”, shtoi Kadilli.

“Duket që ia harruan Fatos Nanos keqqeverisjen, korrupsionin, zullume të tjera dhe memoria historike do t'i kujtojë këtë gjë: modernizimin e Partisë Socialiste, sjelljen krejtësisht të avancuar dhe jashtë kohës, mund të them që edhe sot nuk e kemi më. Askush nuk ikën nga politika në Shqipëri, askush. Janë gati të vdesin në karrigën e politikës. Fatos Nano iku dhe nuk ishte në politikë prej 20 vjetësh", theksoi më tej Fatbardh Kadilli.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos