Ndahet nga jeta Kadare, reagojnë krerët e institucioneve dhe të politikës

Nga A2 CNN
1 Korrik 2024, 14:25 | Politikë

Lajmi i ndarjes nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare u shoqërua me reagime të shumta të krerëve të institucioneve kryesore të Shtetit, si dhe figura të politikës vendase.

Ndër të parët ishte Presidenti i Republikës, Bajram Begaj: “Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës”. 

Kontributin e tij në letërsinë shqiptare e nënvizoi edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla: “Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe. Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”. 

Kryeministri Edi Rama thotë se lajmi e kishte lënë pa fjalë: “Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë. Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më”. 

Për kryedemokratin Sali Berisha, veprat e Kadaresë i garantojnë përjetësinë: “Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare. Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në Olimpin e veprave të tij”. 

Përtej veprës letrare, Ilir Meta rikujton rolin e shkrimtarit në një prej periudhave më të vështira të Shqipërisë: “Ismail Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese në një nga periudhat më të errëta të vendit, zëri universal kundër totalitarizmit, një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, që me kryeveprat letrare të lëna trashëgim do t’i jemi mirënjohës përjetë”. 

Në rrjetet sociale reagoi edhe kryetari i Demokratëve Euroatlantikë: “Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos