
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka reaguar në lidhje me arrestimin dhe ndalimin e protestuesve të opozitës. Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Noka akuzoi policinë se po ushtron terror ndaj opozitës që sipas tij është urdhëruar nga Rama. Ai dënoi arrestimin e drejtuesve kryesorë të opozitës në Elbasan, Fier dhe Pogradec dhe paralajmëroi se do të marrin përgjigjen e merituar.
“Terrori policor kundër opozitës i urdhëruar nga Rama dhe i vënë në zbatim nga Hoxha i riu dhe narkopolicët e tij, është dëshmia se paqe me krimin në qeveri nuk mund dhe as do të ketë. Partia Demokratike dënon me forcë arrestimin e drejtuesve kryesorë të opozitës në Elbasan, Fier dhe veçanërisht të kryetarit të PD Pogradec, zotit Genti Çela. Në një akt banditesk i denjë për diktaturat, narko-policia e regjimit ka thirrur për të dhënë deklarime të gjithë drejtuesit e opozitës, me listë, përfshi edhe deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë. Arrestimet e padrejta dhe të dhunshme të çdo demokrati dhe opozitari do të marrin sa më shpejt përgjigjen e merituar”.
Sipas tij, Partia Demokratike dhe qytetarët dëshmuan dje vetëm një pjesë të arsenalit opozitar, një ndër 77 format e mosbindjes civile dhe u bëri thirrje demokratëve që të mos tremben.
“Opozita nuk ndalet dhe as trembet. Paralizimi që i bëmë mbrëmë vendit për tri orë është vetëm njëra nga etapat e mosbindjes civile. Partia Demokratike dhe qytetarët dëshmuan dje vetëm një pjesë të arsenalit opozitar, një ndër 77 format e mosbindjes civile. I trembur nga paralajmërimi se një prej rrugëve tona do të jetë marshimi në Surrel, Rama lëshoi narkopolicët me uniformën e shtetit për të na trembur. Çdo provokim dhe kërcënim i tillë nuk na zmbraps por na e thellon bindjen dhe shton zellin e vendosmërinë. Sado i fortë të jetë bunkeri i makthit tënd, o Edi Rama, nuk është më i pamposhtur se ai i Hitlerit. Çdo prangë, çdo burgim, çdo arrestim i liderëve dhe mbështetësve të opozitës, është vetëm një hallkë me shumë në zinxhirin e zemërimit popullor, që opozita do ta hedhë në qafë për të të tërhequr nga Surreli tek vendi ku 33 vjet më parë hodhën statujën e idhullit tënd. Edhe pse Blloku ka ndërruar adresë, vetëm një herë në jetë populli mund të ndalet për të hyrë në shtëpinë e së keqes dhe ushtruar lirinë dhe zemërimin e vet. Ajo herë ka kaluar. Demokratëve u bëj thirrje të mos tremben. Edi është vetëm Enveri që ka bërë dhëmbët dhe, kafshimi i tij është prej qeni të rrahur kur ishte këlysh”.
Për protestën e djeshme, Policia e Shtetit ka arrestuar 4 protestues, ndërsa ka proceduar 211 të tjerë, mes të cilëve edhe 6 deputetë të opozitës. Një ditë më parë akset kryesore në vend u bllokuan për rreth 3 orë si pjesë e mosbindjes civile të opozitës. (A2 Televizion)