
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë të PS-së theksoi se partia duhet të ndryshojë mënyrën e komunikimit dhe raportit me qytetarët, duke qenë e pranishme pranë tyre në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
Rama u shpreh se objektivi i PS-së është të ndërtojë një marrëdhënie të përditshme besimi me qytetarët, duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke ndjekur zgjidhjen e problemeve.
Rama: Nga partia që shkon te njerëzit kur kërkon votën duke treguar se çfarë ka bërë për vendin, te partia që rri pranë tyre kur njerëzit kërkojnë vëmendjen e saj për t'i treguar se çfarë vendi duan në rrugën e këtij zhvillimi dhe në gjirin e kësaj shoqërie.
Nga dëgjimi i njerëzve si mirësjellje kur e sjell nevoja jonë, te detyrimi ynë për të qenë atje kur ata kanë nevojë të dëgjohen.
Nga halli i qytetarit që shënohet dhe rëndom mbetet pa përgjigje, te halli që qahet dhe përgjegjësia që e ndjek shënimin deri tek vajtja e përgjigjes.
Nga qytetari që kërkon të hapë një derë në rrugën e vet të jetës, te partia që e ndihmon të gjejë rrugën pa kërkuar votën pse hap derën.
Nga forca e madhe politike që fiton ditën e zgjedhjeve, te fuqia e besimit qytetar që fitohet çdo ditë kur s'ka zgjedhje. (A2 Televizion)