Atë që nuk e arritën në komisionin parlamentar për reformën territoriale, socialistët e shndërruan në nismë ligjore të njëanshme, duke marrë vetëm firmat e deputetëve të saj. Projekti parashikon që nga 61 bashki vendi të shkojë në vetëm 46 të tilla.
Në veri, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën dhe Klosi me Matin, ndërsa 13 të tjerat që reduktohen zbresin nga Shqipëria e Mesme, duke zbritur deri në Jug. Rrogozhina me Kavajën, Dimali dhe Poliçani bëhen pjesë e Beratit, Patosi me Fierin, Divjaka me Lushnjen, Selenica me Vlorën, Maliqi me Korçën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, Cërriku dhe Belshi me Elbasanin, si dhe Prrenjasi me Librazhdin.
Me këtë formulë janë 28 njësi vendore që ndryshojnë, duke u shndërruar në 13 bashki të mëdha. Tirana nuk merr nën administrim asnjë bashki tjetër, por socialistët kanë vendosur të krijojnë një njësi të re, duke i zgjeruar territorin. Sipas kësaj formule krijohet njësia administrative Rinas, që i kalon kryeqytetit, i cili merr zyrtarisht Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, duke ia rrëmbyer Krujës.
Risia e dokumentit të depozituar në Kuvend në mënyrë të njëanshme nga PS lidhet me faktin që qeverisja vendore do të jetë me 3 nivele: bashki, qytete dhe njësi administrative. Për këtë arsye mazhoranca propozon 71 qytete, të cilat do të kenë në krye nga një nënkryetar dhe do të përfaqësohen me anëtarë në këshillin në mënyrë proporcionale me nr. e qytetarëve. Gjithashtu, niveli i tretë do të jenë edhe 387 njësi administrative.
20 bashki do të kenë më shumë se një qytet, si Dibra, Bulqiza, Mati, Kruja, Elbasani, Librazhdi, Fieri, Lushnja, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Korça, Lezha, Mirdita, Kurbini, Shkodra, Puka, Kavaja dhe Vlora.
Gjithashtu, socialistët e përmendin që 3 bashkitë minoritare, Pusteci, Finiqi, Dropulli, si dhe Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli, janë ruajtur dhe do të trajtohen si raste të veçanta, pavarësisht treguesve të tyre financiarë. (A2 Televizion)