“Në Berat e dua 5 me 1”, Rama mesazh kryebashkiakëve: Rëndësi ka vota për PS, jo kandidati

Nga A2 CNN
18 Mars 2025, 17:39 | Politikë

“Në Berat e dua 5 me 1”, Rama mesazh kryebashkiakëve:

Nga Berati, teksa prezantonte kandidatët për deputetë të qarkut që nxjerr 7 ligjvënës për Kuvendin e Shqipërisë, kreu i mazhorancës Edi Rama, u kujdes t’i tregonte një kufi të tijve.

Mesazhi ishte direkt për kryebashkiakët e majtë, të cilëve u kujtoi se më 11 Maj më e rëndësishme është vota për PS dhe duhet të jenë ata “rojtarët” e garës, që të mos favorizohet njëri apo tjetri kandidat nga lista e hapur.

“Nuk duhet të ndërhyni në garë. Duhet t’i jepni mundësinë të gjithë kandidatëve që janë në listë të kenë e një gare pa interference të kryetarëve të bashkive. Kijeni mirë parasysh këtë gjë. Nuk bëhet fjalë për deputetë të një zone apo zone tjetër. Patjetër që janë zgjedhur sipas zonave për të pasur një përfaqësim më të gjerë. Nëse Ardiani është zgjedhur nga një zonë, nuk do të jetë deputeti i asaj zone ngushtësisht por të gjithë qarkut të Beratit. Kjo vlen për të gjithë. Pra është liria e drejta e gjithsecilit të ketë një preferencë por ama kini parasysh. Unë kam problem kur dëgjoj brenda partisë që thotë nuk është ky personi që doja unë e nuk di si do ia bëj me votën time”, ishte vija e kuqe që Rama i përcaktoi të tijve.

Më pas kreu i mazhorancës kërkoi angazhim maksimal për të mbrojtur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021 në Berat dhe për ta shtuar numrin e deputetëve me një tjetër.

Gjashtë deputetë është objektivi që duhet të arrihet sipas shefit të qeverisë. Rama u shpreh se ai e pëlqen shumë numrin 5, duke thënë se rivalëve duhet t’ia bëjnë “tamam 5 me 1”.

“Ne kemi këtu faktikisht 6-7 mundësi në listë për 6 vende dhe është absolutisht e pakuptimtë të thuhet jo po ky. Për më tepër ne kemi respektuar të gjitha bashkitë, moshat e gjinitë, e nevojat që ka bashkësia për tu përfaqësuar. Dua t’ju them kryetarëve të bashkive, se duhet të jenë në dispozicion të PS-së. Duhet të jenë në dispozicion të numrit 5 dhe pesa më pëlqeu shumë sepse është tamam 5 me 1”, tha Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos