I kishte thirrur socialistet për të festuar ditëlindjen e 35-të të PS-së, por në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama foli për armiqtë të cilët po përdorin Zvërnecin dhe protestën për të sulmuar atë dhe Shqipërinë. Kreu i qeverisë e bëri të qartë se nuk heq dorë nga investimi, dhe se protesta nuk mund të ndikoje në vendimin e tij.
“Unë nuk kam asnjë negociatë për të bërë me ju, sepse nuk negocioj dot as vizionin”. Pak metra larg protestuesve, Kryeministri Edi Rama përballë socialistëve në këmbë në sheshin “Italia” ua mbylli derën të gjithë atyre që u kërkojnë të anulojnë projektin e Zvërnecit. Fati i këtij investimi nuk varet nga protesta.
“Lidhur konkretisht me fatin e zhvillimit në Zvërnec, atë do ta vendosë vetëm cilësia e projektit dhe shkalla e ambicies së programit që investitorët do të paraqesin për zhvillimin e zonës. ky është një investim, të cilin Shqipëria nuk e ka luksin kurrsesi ta refuzojë. është një xhevahir që ne duam t'ia vëmë kurorës së Mesdheut në emër të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama, raporton A2 CNN.
Por ai mban një ftesë të hapur të cilët mendojnë që mund të binden nga të vërteta e kryeministrit Rama për këtë projekt 4 miliardë euro, edhe pse sipas Ramës nuk ekziston një i tillë.
“Cilitdo që është i interesuar vërtetë për mjedisin në zonën ku do të zhvillohet projekti i Zvërnecit apo i ishullit të Sazanit, i them se faktet që ne kemi në dispozicion, duhet të jenë normalisht mëse të mjaftueshme për të qetësuar shpirtin e kujtdo në këtë drejtim, prandaj, bujrum ejani t’i dëgjoni. Qysh se Partia Socialiste ka marrë përsipër misionin historik për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian. Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje! Ky vend nuk ka qenë kurrë më një krijesë e kërrusur përpara askujt!”, theksoi Rama.
Zvërneci sipas Ramës po bëhet kurban nga jehona ndërkombëtare, jo për shkak të mjedisit, por sipas shefit të qeverisë për një luftë politikë kundër presidentit të SHBA Donald Trump. Këtu fjala nuk është për Zvërnecin, këtu fjala nuk është për flamingot, këtu fjala nuk është për turizmin, këtu fjala nuk është për mjedisin, këtu fjala është për Presidentin e Shteteve të Bashkuara.
“Është projektimi i një lufte politike që nuk është lufta jonë, i një lufte ideologjike që nuk është lufta e Shqipërisë, i një përplasje mes të mëdhenjve që nuk është fare puna jonë”.
Edhe pse protestën e orientoi vetëm si një zemërim ndaj mjedisit, me një fjali e pranoi është politike. Këtu ka një këshillë për protestuesit, të qëndojnëinteresave politike të PD apo vëllëzvërve në Kosovë, por të bashkohen me PS.
"Forca të ndryshme hedhin në bulevard gurët - deri dhe nga Kosova dhe nga Tetova dhe fshehin dorën, njësoj si opozita që derdh në bulevard prurjet e kënetës së vet grusht-shtetasit e rraskapitur të 98-ës. Ikini hienave që ju janë mbledhur rrotull, në jargët e asaj hipokrizie dhe të asaj urie për pushtet, të cilën e fshehin nën qeleshet që i vënë në kokë për herë të parë apo nën flamujt që lidhin në qafë. Po hajde bashkohuni me ne, me Partinë Socialiste”.
Kërkesën e tyre për t’u larguar nuk e merr parasysh, por ju kërkon protestuesve që të mos manipulohen nga manipulimet e armiqve të Shqipërisë.
“Cili është “djalli” që po shfrytëzon një investim për një zhvillim turistik për të shpërndarë një djallëzi të madhe? Ç' lidhje ka Izraeli me investimin atje në Zvërnec? Kam dëgjuar ca molotovarë edhe ca karnaval që thonë “nuk ka lidhje fare Irani këtu. Duhet të jesh idiot që të mohosh përfshirjen aktive të një vendi armik, i vetmi vend armik që ka Republika e Shqipërisë”.
Këto deklarata Edi Rama i bëri në ditëlindjen e 35 të PS, ku nuk i ngjasoi një festë me trokitje gotash, por socialistë të ardhur nga e gjithë Shqipëria për të mbështetur lidershipin. (A2 Televizion)