Berisha: Ja pse vota e shqiptarëve vdiq pa rënë në kuti

Nga A2 CNN
14 Qershor 2025, 13:06 | Politikë

Berisha: Ja pse vota e shqiptarëve vdiq pa rënë në kuti

Kryetari i Partisë Demokratike, në një konferencë për mediat të shtunën, deklaroi se “farsa elektorale primitive e 11 Majit përbën krimin kushtetues zgjedhor më të rëndë në historinë e pluralizmit shqiptar”.

“Në këtë farsë, kreu i organizatës kriminale, Edvin Kristaq Rama, armik i egër i pluralizmit politik, kryepadrino dhe ndërtues i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, për të siguruar karrigen e tij të krimit, i tmerruar nga krimet që ka kryer, nën mbrojtjen e Altin Troplinit, ushtroi në këto zgjedhje të gjitha format e dhunimit të ligjit. E vërteta është për çdo shqiptar se vota e qytetarëve shqiptarë vdiq, në sensin si votë e lirë, pa rënë në kuti. Votën e vranë pa rënë në kuti përdorimi i 76 milionë eurove si dhuratë për votë 100 euro për çdo pensionist, në tërësi 48 përqind e votuesve apo 760 mijë pensionistë. Votën e qytetarëve shqiptarë e vranë pa rënë në kuti 4500 aktivitete të organizuara në periudhën e ndaluar nga ligji, përfshi edhe ditën e votimit me të famshmen Giro D’Italia, 7 milionë euro një organizate private. Votën e lirë të shqiptarëve e vranë pa rënë në kuti, falja dy ditë para zgjedhjeve e 200 milionë eurove. Votën e lirë të qytetarëve shqiptarë e vranë pa rënë në kuti 29 mijë hektarë kanabis për mbjelljen e 100 mijë rrënjë kanabis në gjithë Shqipërinë për vota. Votën e qytetarëve shqiptarë e vranë pa rënë kuti dhjetëra mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi dhe certifikata pronësie, të dhëna të gjitha për të rrëmbyer votën. Votën e shqiptarëve e vranë gjysmë miliardi prokurime publike dhe koncesione, që të gjitha në funksion të blerjes së votës. Votën e qytetarëve shqiptarë e vranë dhjetëra mijëra punësime për votë gjatë fushatës elektorale, krim i shëmtuar ky ndaj votës dhe shtetit. Votën e vranë pa rënë në kuti dhjetëra mijëra punonjës të administratës, të cilët në shkelje flagrante të ligjit u shndërruan në polici politike për qytetarët shqiptarë dhe kontrollin e vullnetit të tyre”, tha Berisha, shkruan A2.

Më tej, kreu demokrat shtoi: “Votën e vranë pa hyrë në kuti kartelet e drogës dhe bandat vrastare më të rrezikshme të rajonit dhe Europës. Këto banda mbështetën 28 deputetë të partisë së krimit dhe disa nga deputetët e tyre, Blendi Gonxhe, Arkend Balla, deputeti Drazhi, Ani Dyrmishi, Sara Mile, Besa Spaho etj, dolën në këto zgjedhje nga më të votuarit si rezultat i terrorit kriminal që bandat, shefat e policisë, gjykatësit, prokurorët që ata kontrollonin, ushtruan mbi qytetarët dhe vullnetin e tyre”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos