Grupi negociator i Partisë Demokratike, pas takimit me kreun e Nismës Thurje, Endri Shabani ka vijuar sot takimet me krerët e dy partive të tjera opozitare, Mundësia dhe PDIU për të vijuar diskutimet për kandidatin për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
Pas takimit për mediat ka folur për mediat Belind Këlliçi, duke thënë se se opozita është e unifikuar për idenë që do të dilet në garë përballë Ogerta Manastirliut me një kandidat të vetëm.
“Kemi dakordësuar që na duhet një kandidaturë e unifikuar e spektrit opozitar. Të gjitha forcat politike kanë një konsensus për të dalë me një emër që mund të përballen me kandidaten që simbolizon covidin dhe vdekjen. Për teknikalitetet, kemi diskutuar emra të përveçëm, kemi rakorduar për profilin që duhet të ketë”, tha ai.
Sakaq të pyetur nëse do të hyjnë në zgjedhje, në rast se presidenti Bajram Begaj i dekreton, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti u shprehën se vendimi për këtë do të merret nga forumet e larta të partisë.
“I takon forumeve të larta të PD të diskutojë. Kemi deklaruar tashmë që nuk bojkotojmë zgjedhjet por kjo mbetet për t’u parë. Brenda dy ditësh besoj se do të kemi një mbyllje të takimeve formale”, shtoi Këlliçi.
“Do t’ua lejojmë ekspertëve të diskutojnë për reagimin, Ne jemi për bashkimin e gjitha forcave të opozitës bashkë”, tha Alimehmeti.
Po ashtu deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri deklaroi se është e rëndësishme që nga këto negociata, opozita të dalë me një kandidat të përbashkët, që të jetë një personazh me integritet dhe i distancuar plotësisht nga çdo akuzë.
“Jemi dakord me parimin, nuk është i rëndësishëm emri. Ne nuk po vendosim asnjë kusht për emër, jemi te parimi. Kemi dhënë dhe ide të tjera. Për ne ka rëndësi parimi dhe nuk po bëjmë kushte për emrit. Do i qëndrojmë parimit. Po respektohet ky parim. Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tiranë dhe me emrin me integritet, një model i kundër me Manastirliut. Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset”, tha Kapri. (A2 Televizion)