Nën hetim nga SPAK, PD kërkon largimin e Bushkës, socialistët i dalin në mbrojtje

Nga Ervin Koçi
11 Shkurt 2025, 15:55 | Politikë

Publikimi i emrit të Klotilda Bushkës si penguese e drejtësisë në dosjen hetimore ndaj Erion Veliajit ishte mbajtur shënim nga demokratët. Në rastin më të parë, i kërkuan largimin nga drejtimi i Komisionit të Ligjeve.

Që në nisje të mbledhjes Dashnor Sula ia tha në sy Bushkës se prania e saj në krye të komisionit komprometon veprimtarinë legjislative.

“Nuk do të ishte e ndershme që Komisionin e Ligjeve ta drejtoni ju, ndërkohë që sipas publikimit të materialeve dhe një deklaratë e SPAK-ut del që kryetarja e komisionit të ligjeve ka penguar zbulimin e së vërtetës. Kur kjo ndodh nga kryetarja e komisionit të ligjeve imagjinoni në ç‘situatë jemi ne”, tha Sula.

Fjalët e Sulës as nuk i drodhën qerpikun Klotilda Bushkës, që përballë kërkesave për dorëheqje, ndjek të njëjtën si kolegët e saj të mazhorancës.

“Jam drejtuesja e komisionit të ligjeve dhe po ushtroj detyrën time. Nëse kam diçka për ta sqaruar do ta sqaroj atje, ku sqarohen çështjet që ngrini. Sa i takon dinjitetit kam qenë e dinjitetshme, jam e dinjitetshme dhe do të vijoj të jem e dinjitetshme”, iu përgjigj Bushka.

Socialistët e tjerë i dolën në krah Klotilda Bushkës duke kërkuar vijimin e punimeve me atë kryetare të komisionit, gjë të cilën de facto e pranuan edhe vetë demokratët duke kaluar në shqyrtimin e rendit të ditës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos