Nga kartonat jeshilë në sherr fizik. Blushi hedh letra mbi Veliajn, reagon Valteri dhe nisin grushtet

Nga A2 CNN
22 Korrik 2024, 23:07 | Politikë

Mbledhja e parashikuar si e fundit në Këshillin Bashkiak të Tiranës nisi me kartonat jeshilë për rendin e ditës që u përgjigjej disa problematikave të qytetit, por përfundoi brenda 5 minutash.

Tedi Blushi i Partisë së Lirisë nuk lejoi të fliste kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili më pas i solli në vëmendje Ilir Metën dhe të ashtuqajturin “bllokun e zi të korrupsionit” në video-përgjimin “Meta-Prifti”, që i parapriu protestës së 21 janarit 2011.

Në këtë moment një dosje me letra përfundon pas kokës së kryebashkiakut. Ata që e kishin pamjen më të qartë pohuan se menjëherë pasi Blushi i hodhi letrat kryebashkiakut dhe mbledhja u ndërpre, socialisti Halit Valteri shkoi drejt anëtarit të Partisë së Lirisë. Pas një debati të ashpër verbal dhe thonjsh në fyt, një imazh ky i kapur nga fotografi Agim Rama, Valteri shtyu Blushin duke e rrëzuar atë. Blushi ngrihet dhe e godet socialistin me grushte. Sherri fizik mes tyre u ndal me ndërhyrjen e anëtarëve të tjerë. I pari që bëri kallëzim ishte Halit Valteri. Mësohet se gjithashtu në orët që pasuan ata u pyetën nga policia. 

Por ndërkohë jashtë sallës vijoi sherri politik në distancë mes Erion Veliajt dhe Ilir Metës. 

“Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit që i ka mbetur nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranës dhe as humbjen kolosale të partiçkës së tyre. Sjellja prej vandali ndaj kolegëve këshilltarë është shenjë dëshpërimi, jo force”, tha ndër të tjera Veliaj në rrjetet sociale. 

Ndërsa kreu i Partisë së Lirisë theksoi se nga sot Partia e Lirisë është në gjendje lufte me atë që e cilësoi kryehajdutin e Tiranës dhe ordinerët përqark tij: “Nuk ka tutor dhe protektor në botë që e ndalon Drejtësinë tonë”.

Por, çfarë konkretisht pritej sot? Këshilli Bashkiak do të shqyrtonte dhe hidhte për votim hapjen e dy çerdheve, abonetë falas për studentët, miratimin e shkollës “Ecole 42” për të rinjtë, zonën e lirë ekonomike TEDA për 5 mijë vende të reja pune dhe grantin e Katarit për sheshin fundor te Bulevardi i Ri. Dhe në 5 minuta mbledhje, i vetmi moment pozitiv mbetet ngritja e kartonave jeshilë për rendin e ditës, por interesi i menjëhershëm për sherr u duk më i lartë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos