Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, për gati 3 orë është marrë në pyetje këtë të hënë nga prokurorët e SPAK. Burimet i thanë A2 CNN se ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor ishte thirrur si person që ka dijeni, në lidhje me hetimet që Prokuroria e Posaçme po kryen për dosjen dosjen “5D”.
Teksa Mazniku ishte duke u pyetur në godinën e qelqtë, në dyert e SPAK u shfaq Belind Këlliçi. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike deklaroi se kishte shkuar për të ndihmuar prokurorët e SPAK me dokumente për dosjen “5D”. Këlliçi para mediave akuzoi Maznikun se është i përfshirë në dosjen “5D” duke publikuar edhe një dokument të firmosur prej tij për shembjen e 13 pallateve në Tiranë: “Kjo Akt-Marrëveshje u firmos me qëllim prishjen e të paktën 13pallateve në Tiranë, me justifikimin e dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019. Kjo Akt-Marrëveshje kriminale është firmosur nga vetë Arbjan Mazniku në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor”.
Pas 3 orësh marrje në pyetje, Mazniku nuk preferoi të jepte koment për mediat, por deklaroi vetëm se ishte thirrur si person në dijeni.
Ndërkohë, Belind Këlliçi pohoi se denoncimet për dosjen “5D” do të vijojnë dhe në ditët në vijim do të publikojë dokumente të tjera. (A2 Televizion)