Kryeministri Edi Rama njoftoi se Qeveria do të shpronësojë pronën që sipas tij ishte burimi i konfliktit të ndodhur të enjten në Vlorë, ku disa persona u përplasën brenda një hoteli.
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë, ta shpronësojmë për interes publik, të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme dhe, sipas ligjit, ta kthejmë në një aset publik dhe turistik për të gjithë”, tha Rama përmes një videomesazhi në Facebook, përcjell A2 CNN.
“Një natyrë për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë ku do të mbillen dhe do të ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut, si edhe do të ekspozohen të gjithë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri. Një adresë e re informimi, një hapësirë e re e dijes, e turizmit, e eksperiencës.
Një tokë që i ndau me dhunë dy investitorë fqinj, duke përfshirë të gjithë Shqipërinë, do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqeje, nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”, shtoi ai.
Kryeministri tha se ky është një mesazh i qartë për të gjithë ata që zhvillojnë apo menaxhojnë asete turistike.
“Ata duhet të kuptojnë se nuk mund ta cenojnë, me qasjet dhe me sjelljet e tyre lënduese, atë që është një mision i madh kombëtar: misioni ynë i Shqipërisë turistike, i cili shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve, në radhë të parë investitorëve e deri te kamerierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar edhe me njëri-tjetrin. Lëre pastaj me shoqërinë shqiptare dhe me vizitorët e panumërt që trokasin në dyert e Shqipërisë”, tha Rama.
“Prandaj, banaliteti dhe brutaliteti i çfarëdo lloji duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar. Autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli, me dhunë mbi tjetrin, me harbutëri ndaj klientëve, me papërgjegjshmëri ndaj hapësirës së përbashkët publike, me akte arrogance ose me zhurma shurdhuese ndaj komunitetit, duhet të bëhen shembull, shembull i një vije të kuqe të domosdoshme për Shqipërinë turistike”.
Çfarë ndodhi në Vlorë?
Sipas Policisë, shtetasi Luan Muça, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit Vasil Bedinaj, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.
Për ngjarjen janë arrestuar Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë; Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë; Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë; Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar; Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre. (A2 Televizion)

