Pasi ka marrë drejtimin e bashkisë së Tiranës nga paraburgimi i Durrësit, duke i hequr komandimin Anuela Ristanit, Erion Veliaj ndërmerr të tjerë hapa ligjorë.
Përballja me drejtësinë në Shqipëri tashmë do të shkojë edhe në Strasburg. Avokatët e huaj deklaruan se më 10 shtator, çështja e arrestit do të apelohet në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Për t’i paraprirë këtij vendimi, përfaqësuesit ligjorë i kanë bërë kërkesë SPAK-ut për një takim të dytë me Veliajn në qeli po më 10 shtator, për të mundësuar firmosjen e dokumenteve për apelimin në Strasburg.
Në argumente ata përmendin vendimet e Gjykatës Kushtetuese për lënien në detyrë, ndërsa më 15 shtator Gjykata e Lartë do të shqyrtojë masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt.
Kjo lëvizje vjen pak ditë pasi ai vendosi të marrë të gjitha detyrat e kryebashkiakut. Nga qelia e paraburgimit Veliaj shkarkoi kryetaren e komanduar Anuela Ristani, riktheu në detyrë të besuarin e tij Alban Dokushi po në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm.
Avokatët e Veliajt deklaruan se ai do ta drejtojë vetë bashkinë, ndaj dhe shkresat që shkojnë drejt paraburgimit të Durrësit këto ditë janë të shumta.
Ai firmosi listën e pagave të punonjësve të administratës, fondin shtesë për çerdhet dhe kopshtet dhe abonesë falas për pensionistët. Po përmes zyrës së shtypit u kujdes të thotë se me marrjen e kompetencave ka nisur një aksion i gjerë pas sezonit veror. (A2 Televizion)