
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa në aeroport ka deklaruar se ky është një moment vendimtar për Shqipërinë.
“Prania juaj këtu dëshmon se ju e parandjeni që ky për Shqipërinë është udhëtimi i viteve”, u shpreh Berisha.
Ai tha se udhëton drejt SHBA-së me të njëjtën bindje që kishte në mars të vitit 1991, se Amerika do të mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Kam shumë kënaqësi që sot nisem për në Shtetet e Bashkuara, po me atë bindje si në mars të vitit 1991.
Se vendi i madh i lirisë do të mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga diktatura autoritare”, deklaroi Berisha.
I pyetur nëse vizita lidhet me një fitore personale apo me një mesazh për Partinë Demokratike, Berisha theksoi se “nuk ka asgjë personale”, duke shtuar se në SHBA do të takojë miqtë e tij.
Vizita e Berishës në SHBA është e para që nga heqja e masës “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Berisha pritet të marrë pjesë edhe në aktivitetin “Freedom Works”, një takim me shqiptarët e Amerikës, që do të mbahet të dielën, më 6 shtator, në orën 11:00, në Bergen Performing Arts Center, në Englewood, New Jersey. (A2 Televizion)