Partia Republikane ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Nga Elbasani ku ishte dhe takimi i parë me strukturat, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pohoi se opozita e djathtë duhet të përfaqësohet me profesionistë në zgjedhjet e ardhshme, si mënyra më e mirë për të fituar besimin e njerëzve përballë një pushteti që partner kryesor ka bandat e trafikut të drogës, raporton A2.
“Nuk jemi sot më një republikë parlamentare kushtetuese, por kryeministrore, dhe më keq kur Shqipëria është një mall që shkëmbehet për interesa të pushtetit në çdo lloj forme. Trafiku i drogës është bërë dominant. Grupet e forta të drogës dominojnë edhe politikën. Ata zgjedhin dhe vendosin dhe për fat të keq kjo është një marrëdhënie e dukshme dhe e pranueshme nga qeverisja e sotme. Për shkak të interesit të pushtetit nuk ka më liri, as të drejta, asgjë. Përdoren këto grupe kriminale në bashkëpunim me pushtetin për të manipuluar zgjedhjet, për të intimiduar votuesit, për të blerë vota, për t’u thënë shqiptarëve se vota juaj nuk vlen. Është shumë e rëndësishme që të ngjallim besimin në atë që është e drejta e votës, liria se pa të nuk mund të shkojmë përpara”.
Po ashtu Mediu gjatë takimit vuri në dukje nevojën që ka vendi për funksionimin e drejtësisë. (A2 Televizion)