Komisioni antikorrupsion nisi punën vetëm me përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët janë edhe propozuesit e kësaj nisme. Përveç karrigeve bosh të opozitës, në sallë munguan edhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë si SHBA dhe BE, të cilët do të asistojnë dhe do të ndjekin mbarëvajtjen e këtij komision të posaçëm.
Fatmir Xhafaj, i cili ka marrë besimin nga Edi Rama për drejtuar reformimin institucional të shtetit modern shqiptar, u kërkoi kundërshtarëve politikë që të mos përsërisin gabimet e së shkuarës, duke bojkotuar jetën parlamentare.
Si një garanci për ta kishte premtimin, se qëllimi i këtij komisioni do të shkojë përtej interesave politike.
Pavarësisht retorikës politike për një komision që pritet të zgjasë 10 muaj, opozita ende nuk ka një vendim grupi nëse do të bëhet pjesë apo jo. Argumenti që ushqen skepticizmin e pakicës, mbetet paqartësia e qëllimit të PS si dhe rreziku i përdorimit të kësaj platforme për qëllime elektorale.
Fatmir Xhafaj pritet të përdorë të njëjtën skemë si ajo e reformës në drejtësi, ku puna voluminoze do të kryhet nga tri struktura: i pari do të jetë sekretariati teknik, më pas draftet do të kalojnë te grupi i ekspertëve vendas dhe të huaj, ndërsa fjalën e fundit do ta thonë deputetët e këtij superkomisioni. (A2 Televizion)